Beqaj për faturat e KEK-ut, gabime jo fryrje

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjatë një konference për media ka bërë sot publike të gjeturat e Komisionit Mbikëqyrës për trajtimin e ankesave të qytetarëve drejtuar KEK-ut lidhur me faturat e energjisë.
Ai ka përjashtuar mundësinë e fryrjes së faturave, ndërsa ka konfirmuar se ka pasur gabime në leximin e njësorëve të energjisë elektrike.
Beqaj tha Komisioni ka evidentuar gabime të caktuara. Gabimet janë të natyrës njerëzore dhe kanë të bëjnë me leximin e orëve, gabime nga mungesa e qasjes në leximin e orëve, ndërrimi i orëve nga momenti që është hequr deri te vendosja e orës së re dhe gabime tek lidhjet e reja.
“Nga totali i të gjitha ankesave të cilat kanë qenë të evidentuara, ky grup i ka monitoruar 31 lëndë sipas mostrës të zgjedhur nga OJQ Konsumatori. Nga këto lëndë, prej tyre 8 ankesa kanë qenë në ndërrim të orës, të cilat janë korrigjuar; 13 ankesa për gabime në lexim, nga të cilat 7 janë korrigjuar dhe 6 janë refuzuar si të pabaza; 5 ankesa për mos qasje në lexim, të gjitha janë korrigjuar dhe 2 ankesa në lidhje të reja, të cilat janë korrigjuar”, ka bërë të ditur Beqaj./Indeksonline/