E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiraj firmos për pesë vjet me Dinamon

Prishtinë, 31 gusht - Sulmuesi kosovar Fatos Beqiraj karrierën do ta vazhdojë në Kampionatin e Kroacisë. 22-vjeçari Beqiraj të hënën është transferuar nga Buduqnosti i Podgoricës te skuadra më e madhe kroate, Dinamo e Zagrebit. Reprezentuesi i Malit të Zi me Dinamon ka firmosur kontratë pesë vjeçare. Kjo është bërë e ditur në sajtin zyrtar të Dinamos, të hënën mbrëma. Klubi nuk ka njoftuar për shumën e dëmshpërblimit, por mediumet kroate kanë shkruar se Buduqnosti ka përfituar 650 mijë euro. Fillimisht skuadra malaziase kishte kërkuar një milion euro, por u pajtua të zbriste çmimin në 650 mijë. Vetë Beqiraj, sipas mediumeve, do të ketë pagë vjetore prej 150 mijë eurosh.

"Jam i lumtur që më në fund u realizua transferimi te klubi më i madh kroat. Kalimi në Dinamo është hap i madh para në karrierën time. Bëhet fjalë për njërin prej klubeve më të mëdha të rajonit", ka thënë Beqiraj të hënën për gazetën. Ai më herët është kërkuar edhe nga Benfica, Hajduku i Splitit dhe Fenerbahçe.

"Për fat kam të drejtë të paraqitem në Ligën e Evropës. Me Dinamon synoj të fitoj trofe dhe natyrisht të siguroj transferimin në ndonjë klub të madh evropian. Dinamo është skuadër e njohur për shitje të lojtarëve në ligat e forta. Me një stinor të mirë të kaluar në këtë ekip mund të kalosh në ekipet e forta evropiane. Ky edhe është synimi im", ka shtuar sulmuesi pejan.

Fatos Beqiraj në janar të vitit 2008 u transferua në Buduqnost nga Besa e Pejës. Shpejt u bë lojtari më i mirë i kampionatit të Malit të Zi. Në edicionin e parë fitoi titullin, ndërsa në të dytin doli golashënuesi më i mirë. Pas paraqitjeve të mira në fanellën e Buduqnostit u ftua në U-21 të Malit të Zi e më pas edhe në përfaqësuesen A të këtij vendi. Deri më tani ka luajtur gjashtë herë për Malin e Zi. Për Buduqnostin ka shënuar 40 gola.

Skuadra kroate, Dinamo, e ka vlerësuar lart sulmuesin kosovar. Ai është përforcimi i fundit para edicionit të ri.

"Beqiraj në 80 ndeshje zyrtare ka shënuar 40 gola. Ky fakt tregon më së miri se çfarë sulmuesi ka sjellë Dinamo në radhët e saj. Ambiciet e Dinamos dhe dëshira për sukses të vërtetë nuk pushojnë", ka shkruar në sajtin e Dinamos.

Dinamo është kampione në fuqi e Kroacisë. Ka fituar pesë titujt e fundit të Kroacisë. Gjithsej ka fituar 12 tituj të Kampionit të Kroacisë dhe katër tituj në ish-Jugosllavi. Ka të fituara edhe 10 kupa të Kroacisë dhe shtatë të ish-shtetit federativ.

Për klubin nga "Maksimiri" më herët kanë luajtur sulmuesit kosovarë Kujtim Shala e Ardian Kozniku. Aktualisht pjesë e kësaj skuadre është mbrojtësi shqiptar Arijan Ademi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›