E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqiri: LDK nuk ka ndërruar qëndrim karshi dialogut

(E plotësuar) Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka demantuar disa media se LDK përkrah dialogun politik për veriun, duke shtuar se LDK nuk ka ndryshuar qëndrimin që ka pas më herët. Sipas tij LDK nuk i mbështet bisedat për veriun me Serbinë, por mbështet dialogun me qytetarët e asaj pjese.

Ai në një prononcim për Kosovapress ka sqaruar se LDK nuk përkrah bisedimet për veriun e vendit.

Beqiri ka thënë se ka një tentim të keqinterpretimit të deklaratës së Isa Mustafës, i cili është për vizitë në Londër.

“Absolutisht është tentim për keq interpretim të një pjese deklaratës që e ka thënë kryetari Mustafa dhe absolutisht nuk është e vërtet që LDK ka ndryshuar qëndrimin rreth dialogut me Serbinë. Ne e kemi thënë edhe më herët edhe tash po e përsërisim se qëndrimi i ynë mbetet i njëjtë sa i përket bisedimeve, nuk është çështje urgjente që të bisedohet e aq më tepër të bisedojmë për sovranitetin dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës. Prandaj kjo çështje është çështje e një vendi dhe jo e një qeverie dhe po ashtu e përsërisim edhe njëherë dhe nga takimi i kryetarit Mustafa nuk e ndryshon qëndrimin tonë të mëhershëm. LDK-ja është kundër bisedave për veriun me Serbinë, por mbështet dialogun me qytetarët e asaj pjese që duhet të zhvillojnë institucionet e Kosovës dhe se LDK nuk jep kurrë konsensus të tillë ku mund të vihet në pikëpyetje sovraniteti dhe rregullimi i brendshëm i vendit”, ka thënë Beqiri.

Për më tepër Beqiri ka thënë se në asnjë variant LDK nuk bëhet pjesë e dialogut politik dhe askund nga ajo komunikatë nuk do të thotë se LDK bëhet pjesë e dialogut politik.

Ndryshe kryetari Mustafa gjatë vizitës në Londër ka shprehur qëndrimin se bisedimet për Veriun duhet të mbështeten në një koncensus politik dhe që të sigurohet se nuk do të preket sovraniteti dhe rregullimi i brendshëm i vendit.

Shefi i LDK-së, po qëndron në Londër, bashkë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Muhamet Hamiti, dhe anëtarin e kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, me të cilin kanë takuar drejtorin për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Mbretërisë së Bashkuar, Owen Jenkins, si dhe udhëheqësin për Kosovë, David Lider./kosovapress/

Sprapset LDK, i thotë po dialogut

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa gjatë qëndrimit në Londër është takuar me përfaqësues për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët i ka informuar me zhvillimet në Kosovë. Gjatë këtij takimi i pari i LDK-së ka deklaruar se bisedimet për Veriun duhet të mbështeten në një koncensus politik dhe të sigurohet se nuk do të preket sovraniteti dhe rregullimi i brendshëm i vendit.

Shefi i LDK-së, po qëndron në Londër, bashkë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Muhamet Hamiti, dhe anëtarin e kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti,me të cilin kanë takuar drejtorin për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Mbretërisë së Bashkuar,Owen Jenkins, si dhe udhëheqësin për Kosovë,David Lider.

Kryetari Mustafa e informoi Jenkis me zhvillimet në Kosovë dhe i shprehu atij falënderimet për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë dhe po jep Mbretëria e Bashkuar për ndërtimin e shtetit dhe forcimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe për ndihmën në procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.

Mustafa me këtë rast theksoi se mbeten ende shumë punë për t’u bërë në Kosovë, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të shtetit të së drejtës.

Ai theksoi domosdonë e shtrirjes së shtetit ligjor në të gjithë vendin, si dhe nevojën për dialog me qytetarët në Veri, për t’ua sqaruar atyre përfitimet që do të kenë nga shtrirja e shtetit ligjor edhe atje.

"Jenkins theksoi edhe një herë mbështetjen e shtetit të tij në këtë proces dhe e vlerësoi lart qëndrimin e LDK-së në këtë drejtim,Ai e vlerësoi rolin konstruktiv e shtetndërtues të LDK-së si parti e fuqishme opozitare", thuhet në një komunikatë të lëshuar nga LDK-ja.

Kryetari Mustafa tha se bisedimet për Veriun duhet të mbështeten në një koncensus politik dhe që të sigurohet se nuk do të preket sovraniteti dhe rregullimi i brendshëm i vendit.

Ai po ashtu theksoi nevojë që në Kosovë të ketë pushtete të ndara, që qeveria aktuale të mos ndërhyjë në punën e Kuvendit dhe të institucioneve të drejtësisë, si kusht themelor për t’u integruar në strukturat evro-atlantike./kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›