E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Kriza ekonomike po thellohet

Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Ilir Beqja deklaroi sot se kriza ekonomike në vend po thellohet. Ai theksoi se veçse krizës politike, tashmë Shqipëria po vuan edhe krizën ekonomike
"Krizën politike tashmë e pranojnë edhe partnerët ndërkombëtarë, edhe Këshilli i Europës, ndërkohë që krizën ekonomike e përjetojnë çdo ditë shqiptarët e thjeshtë. Sali Berisha është përgjegjësi i krizave të cilat mund t'i zgjidhë ose duke hapur kutitë, ose duke u larguar", tha gjithashtu ai.

Beqja tha se se ushqimet për qytetarët janë shtrenjtuar me 7 për qind, ndërkohë që tashmë ka hyrë në fuqi edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike.
Ai ka radhitur disa faktor, si rritja e çmimit të energjisë, rritja e çmimit të gazit, si dhe zhvleftësimi i lekut, çka sipas deputetit opozitar tregon se kriza është thelluar.

"Në atë tavolinë ishte edhe ministri i shëndetësisë që në tetor 2009, brenda natës, katërfishoi tarifat e shërbimeve shëndetësore. 4 herë më shumë paguajnë për shërbimet shëndetësore 800 mijë shqiptarë të pasiguruar dhe vetëm vegla e Sali Berishës, INSTAT, nuk ka veshë të dëgjojë dhe sy të shikojë", u shpreh Beqja.

Ai shtoi se povarësisht kësaj, tashmë qeveria po tenton të rrisë edhe çmimin e ujit të pijshëm. "Sali Berisha shtrenjtoi bukën, shtrenjtoi dritat, shtrenjtoi gazin, shtrenjtoi spitalet, dhe tani po shtrenjton dhe ujin", vijoi Beqja. Sipas deputetit të PS-së, sot Shqipëria është zhytur në krizë politike, por edhe në krizë ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›