Pavarësia e Kroacisë, Berisha takon luftëtarët shqiptarë
Kryeministri priti dje drejtues të Shoqatës të Luftëtarëve Shqiptarë për Pavarësinë e Kroacisë. Ata i shprehën konsideratat më të thella z. Berisha për kontributin e tij në zhvillimin e dheut mëmë, për mbështetjen e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në hapësirën ballkanike e me gjerë, si dhe për rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon. Shoqata, e krijuar një vit më parë në Kroaci, është një organizatë që, në radhë të parë, ka për qëllim të vlerësojë bilancin e kontributit dhe gjakut të dëshmorëve shqiptarë në betejat e përbashkëta me popullin kroat për pavarësinë e Kroacisë. Ajo do të krijojë mundësinë që trupat e luftëtarëve shqiptarë të prehen të qetë pranë të afërmeve të tyre në Kosovë dhe ngado, ku ata kanë familjet e tyre. Shoqata është gjithashtu një urë miqësie midis dy popujve, atij shqiptar dhe kroat. Kontributi i luftëtarëve shqiptarë konsiston në flijimin e 77 dëshmorëve, 450 të dëmtuarve invalidë dhe përbëhej prej 2300 luftëtarë dhe 250 oficerë dhe nënoficerë.
Kryeministri Berisha, duke vlerësuar sakrificat dhe angazhimin e tyre në një luftë të drejtë, theksoi se betejat e ushtrisë së organizuar kroate përbëjnë preludin e përpjekjes së një lufte, e cila do të pasohej me vendosjen e faktorëve të rinj të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.