E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Përkeqësohet situata ekonomike

Partia Socialiste shpreh shqetësimin e situatës ekonomike në vend. Sipas selisë rozë, të ardhurat për qytetarët janë më të pakta se një vit më parë, e gjendja me kalimin e kohës vazhdon të përkeqësohet, për shkak të keqqeverisjes së vendit. Vendi vazhdon të vuajë nga keqadministrimi fiskal. Edhe në muajin prill vazhdon të thellohet deficiti në të hyrat në buxhetin e shtetit. Në katër muajt e parë të vitit 2010 deficiti në mbledhjen e të ardhurave tatimore është rreth 9.9 miliardë lekë, - tha dje deputeti socialist, Ilir Beqja. Sipas tij, të ardhurat në total janë rritur me 3.1%, ndërsa inflacioni 4-mujor është 4%. Ndërkohë që të ardhurat tatimore janë rritur 1.5%, por kjo rritje është 2 herë më e vogël se inflacioni. Beqja ka shtuar se në bazë të të dhënave të fundit tatimi mbi biznesin e vogël është pakësuar me një vlerë neto prej 9.5%, çka dëshmon qartë vuajtjen e kësaj kategorie sipërmarrësish të vegjël e familjarë. Individët kanë shtrënguar rripin, biznesi i vogël e familjar vuan, korporatat fitojnë më pak dhe investojnë më pak në makineri e pajisje, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia do të jetë më keq se një vit më parë. Kjo është Shqipëria nën qeverisjen e Sali Berishës në 4 muajt e parë të vitit 2010. Mrekullia ekonomike e Sali Berishës, jo vetëm është demaskuar si gënjeshtra e radhës, por, çka është edhe më e rëndë, kjo gënjeshtër prej 6 muajsh po rëndon çdo ditë e më shumë në kurrizin e familjeve shqiptare, - tha ai. Beqja ka shtuar se pavarësisht përpjekjeve për të fshehur e manipuluar shifra mbetet fakt se 2010 ka nisur më keq se 2009 dhe se situata vazhdon të përkeqësohet muaj pas muaji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›