Beqja: Qeveria po tallet me dëmshpërblimet e Shkodrës

Tiranë, 1 prill, NOA Edhe sot, 3 muaj pas përmbytjeve në zonën e Shkodrës, ka ende sipërfaqe nën ujë, për të cilat nuk është bërë asnjë vlerësim. Nuk është vlerësuar asnjë metër katror mbjellë me jonxhë, nuk është vlerësuar asnjë bimë dekorative e humbur nga fidanishtet e fermerëve.
Me një deklaratë të tillë mbajtur në seancën plenare, deputeti socialist Ilir Beqja, ka akuzuar qeverinë për mënyrën sesi po i dëmshpërblen të përmbyturit.
Prej disa ditësh opinioni është njoftuar se ka mbaruar vlerësimi dëmeve të përmbytjeve në Shkodër. Por çfarë përmban në të vërtetë ky vlerësim? Çfarë thonë vetë banorët e përmbytur? Kryetari i këshillit të qarkut u thotë atyre se vlerësimi ka mbaruar dhe për çdo ankesë duhet ti drejtohen gjykatës. Ndërsa banorët e Luarëzit, Çasit, fushës së Pentarit vazhdojnë të jenë qytetarë të dorës së dytë në Republikën e Shqipërisë, tha Beqja në fjalën e tij.
Së pari, ishte qeveria që mbahet edhe me taksat e tyre që i përmbyti. Këtë nuk e them vetëm unë apo Partia Socialiste. Këtë e thonë të gjithë në Shkodër, e thonë të gjithë shqiptarët. Sot, e deklaroi botërisht edhe Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, akuzoi ai.
Duke përfunduar se sot qeveria nuk pranon as ti vlerësojë dëmin që u shkaktoi. I vetmi faj i banorëve është se janë ende të përmbytur.
Por edhe vlerësimi i bërë është qesharak. Në të gjithë rrethin e Shkodrës dëmi i vlerësuar është rreth 4 milionë dollarë. Si për ironi të fatit, po kaq shpenzoi qeveria e Sali Berishës për antimitingun e 8 dhjetorit, shtoi deputeti socialist.
n.e/NOA