Albtelekom mashtron qytetarët, lidhja e një numri fiks zgjat 2 muaj
Lidhja e një numri fiks është kthyer kohët e fundit në një kaos pa fund me pritje të lodhshme e të gjata. Edhe pas kontratës së bërë në zyrat qendrore të Albtelekomit në kryeqytet, ku një klient kryen të gjitha procedurat duke plotësuar formularin e duke dorëzuar
të gjithë dokumentacionin përkatës plus pagesës së majme të vendosur për një numër fiks, lidhja e sinjalit është një sorollatje pa fund. Edhe pse për këtë të fundit punonjëset të premtojnë me shumë siguri se sinjali do të jetë i mundur vetëm brenda një jave, një qytetari të zakonshëm do ti duhet të presë për të pasur një telefon fiks në shtëpinë e tij plot një apo dy muaj. Përpos kësaj nuk janë të pakta rastet kur vetë këta qytetarë pasi ankohen në zyrat e Albtelekomit për vonesën e gjatë nuk marrin në këto zyra asnjë lloj shpjegimi, pasi vetë punonjëset në sportelet e informacionit thonë se i gjithë faji është i teknikëve dhe vonesat janë të pashpjegueshme. Mesa duket edhe lidhja e një numri fiks është një nga mashtrimet e rradhës të Albtelekom pas një sërë problemesh për rritjen e çmimit të tarifave e ankesave pa fund të vetë qytetarëve të kryeqytetit.
Ankesat
Jo më larg se një muaj më parë u bënë publike dhe abuzimet e panumërta me faturat e majme të telefonave fiks për shumë qytetarë të kryeqytetit por jo vetëm. Për këtë institucion nuk kanë munguar as skandalet e herëpashershme ku çdo problem ka si destinacion vetëm xhepat e qytetarëve. Ndërkaq, reagimet dhe ankesat e shumta nga ana e qytetarëve për shkak të faturave të kripura, që ende vazhdojnë në dyert e Albtelekomit duket se nuk kanë të sosur. Por duket se këto ankesa jo vetëm që nuk merren për bazë por edhe nuk zgjidhen në të shumtën e rasteve. Kështu një pjesë e madhe e ankesave nga qytetarët janë shpërfillur nga zyrat përkatëse të Albtelekom, pikërisht zyrat postare ku arkëtohen detyrimet, duke u justifikuar se abonentët mund të kenë kryer thirrje jashtë vendit, të cilat kushtojnë disa herë më shumë se sa thirrjet brenda vendit, apo thirrjet lokale. Megjithatë, pjesa dërrmuese e qytetarëve që kanë pasur probleme dhe pakënaqësi në lidhje me shumat e faturuara për telefonin fik, pohojnë se nuk kanë kryer asnjë thirrje ndërkombëtare, ndërkohë kanë kërkuar listën e thirrjeve që kanë konsumuar gjatë muajit bashkë me numrat e thirrur, nga Kompania Albtelekom. Probleme, ankesa, madje në disa raste edhe përplasje dyersh e ofendime nga vetë punonjëset e Albtelekomit për bezdisjen që ju krijon fluksi i qytetarëve. Kjo situatë konstatohet lehtësisht nëpër sportelet e shumta në kryeqytet, ku abonentë gjithnjë ankohen për tarifat e larta dhe në shumë raste ata largohen të revoltuar pa paguar faturën duke i nënshtruar kështu taksave të tjera për kamatë vonesën.
Problemet me tarifat
Pak kohë më parë Albtelekom propozoi të kryejë një rritje të pajtimit mujor nga 358 lekë që është realisht në 442 lekë. Rritja e tarifave është aplikuar nga kompania e telefonisë fikse që nga momenti i privatizimit kur nuk është kryer asnjë investim në këtë sektor. Por Këshilli Drejtues i AKEP vendosi në lidhje me këtë një kusht sipas të cilit Albtelekom mund ta rrisë tarifën e pajtimit mujor, ashtu si e parashikon edhe metodologjia e rregullimit të tarifave, vetëm pas datës 1 qershor dhe vetëm nëse plotëson mundësimin e tarifimit për çdo sekondë. Sipas AKEP pika 18 e metodologjisë së rregullimit të tarifave me pakicë, përcakton si detyrim për Albtelekom tarifimin për sekondë të thirrjeve, duke filluar nga data 15 mars 2009. Por Albtelekom nuk e ka pranuar këtë kusht me pretekstin se për muajin shkurt 2009 nuk mund të kalonte në sistemin tarifor në bazë sekonde, si pasojë e problemeve teknike për ndërtimin e sistemit të këtij shërbimi. Albtelekom ka premtuar se do të fillojë tarifimin për sekondë për të gjithë abonentët për faturën e muajit prill 2010, pra një vit me vonesë në raport me parashikimin e metodologjisë. Albtelekom e ofron një minutë kohë bisede brenda qytetit me 3 lekë. Çmimi për këtë shërbim është dyfishuar, ndërsa vërehet një ulje modeste në tarifat e bisedave kombëtare, të cilat nga 18 lekë për minutë zbritën në 10 lekë për minutë. Bisedat me jashtë, të cilat për zonën e parë ku përfshihen Italia dhe Greqia nga 40 lekë për minutë zbritën në 30 lekë për minutë. Ndërsa një rritje gati 300 % do të pësojë abonimi mujor, i cili është parashikuar të rritet ne 300 lekë nga 92 që është ishte.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Enjte, 01 Prill 2010 20:00