E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, Rama: Më 20 nëntor barrikadë në Tiranë

Nga protesta e Beratit, kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se opozita nuk do të bëhet pjesë e Kuvendit, pa u hapur kutitë e votimit.


TIRANË - Protesta e radhës e socialistëve dhe simpatizantëve të saj, nën siglën "Ku është Vota ime?", "Hapni kutitë!", ka vijuar në qytetin e Beratit, i cili është cilësuar si qyteti i dytë më i dëmtuari në zgjedhjet e 28 qershorit, pas Shkodrës.


Në mitingun e protestës në Berat, lideri socialist, Edi Rama, ishte shoqëruar, jo vetëm nga zyrtarët e lartë të PS-së, por edhe nga kryetarë të partive aleate si Skënder Gjinushi, Erion Veliaj, Paskal Milo, ashtu edhe drejtues të partive të djathta, si Spartak Ngjela.


Gjatë fjalës së tij, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka përsëritur qëndrimin e tij të prerë për mospjesëmarrjen në Parlament për sa kohë, që mazhoranca nuk ka vullnetin politik për hapjen e kutive. "


Unë po përsëris përgjigjen time për të gjithë ju, - iu drejtua Rama qytetarëve të Beratit, - se ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament për t'u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara së vërtetës së maskaradës së zgjedhjeve e për pasojë në mbylljen rrugëve për zgjedhje të lira e të ndershme. Boshllëkun tonë në Parlament do ta plotësojë beteja jonë pa kompromis për rivendosjen e ligjit në rrugën e protestave për rivendosjen e demokracisë".


"Fatin e kësaj beteje, nuk e dikton dot një pushtet i korruptuar, por e drejta që kemi me vete, e drejta që ka populli ka për t'u ngritur më këmbë kur ligji shkelet me këmbë, e drejta që ka njeriu në demokraci për të kërkuar me forcë lirinë e forcës së tij.


Ftoj socialistët dhe progresistët që më 20 nëntor, ashtu siç apeloi avokat Ngjela, të gjithë në Tiranë për t'u bërë barrikadë njerëzore kundër pushtetit të korrupsionit dhe manipulimit të votës së lirë",- tha Rama.


Kryetari i PS-së akuzoi kryeministrin për shitjen e vendit, konkretisht të kufijve detarë, për interesa të tij personalë dhe sulmoi familjen kryeministrore për korrupsion skandaloz, duke kujtuar se kjo çështje do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.


E veçanta e tubimit në Berat ishte edhe prania e avokat Spartak Ngjelës, apo edhe e Ndre Legisit dhe Mustafa Muçit. Gjatë fjalës së mbajtur, Ngjela theksoi se, ka ardhur koha e një aleance të madhe dhe të gjerë për shtetin, kur është fjala për lirinë e individit, demokracinë për të cilën nuk ka të majtë dhe të djathtë.


Kreu i PLiDr, Spartak Ngjela, ka bërë thirrje që të gjithë shqiptarët bashkë, që kanë interesin kombëtar, mbi të gjitha interesat e tjera, duhet të përballen me qeverinë e ngritur mbi vjedhjen e votave në Tiranë, në 20 nëntor.


Ai është shprehur se kjo protestë e madhe bëhet për një të drejtë që nuk mund ta shkelë askush dhe kjo është vota e lirë. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, është shprehur në fjalën e tij gjatë protestës së organizuar në qytetin e Beratit, se kryeministri Berisha duhet të largohet sa më parë.


Sipas tij, kur i gjithë populli kërkon hapjen e kutive të votimit, kreu i qeverisë merret me zhvarrosje eshtrash. "Mbi 800 mijë vetë kanë votuar kundër Berishës në 28 qershor dhe nuk votuan për LSI-në dhe Ilir Metën.


Berati, Skrapari dhe Kuçova votuan për LSI-në që të largonte Berishën, jo që Berisha dhe LSI-ja t'ju largojnë juve nga puna. Votuat për LSI-në, jo që Meta të bëhet zëdhënës i Berishës, duke zëvendësuar Majlinda Bregun" është shprehur Gjinushi.


Kreu i socialdemokratëve, ka deklaruar se opozita do të merrte një mandat më shumë në Berat, por pikërisht në këtë qark me mijëra vetë nuk morën kartë identiteti, qindra që nuk e gjetën emrin në lista. Sipas tij, ky është një fakt që nuk e pohon vetëm opozita, por raporti i OSBE-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›