Berat, Rama: Shqipëria ka hyrë në një fazë të re nga pikëpamja e jetës së vet si shtet

Kryeministri Edi Rama zhvilloi të premten një takim me organizatat socialiste në Berat, në vijim të fushatës për anëtarësime të reja, në kuadër të procesit të rienergjizimit të PS-së.
“Kam marrë një kënaqësi të veçantë për hir të vërtetës sepse shumë nga gjërat që kemi imagjinuar e pastaj projektuar, e pastaj planifikuar për të vënë në zbatim, e pastaj vënë në zbatim ose që janë në zbatim e sipër, kanë filluar të krijojnë pamjen e mozaikut të një Berati që është në një transformim prej të cilit po merr gjithmonë e më shumë rezultat”, tha Rama.
Sipas tij, në 2023-shin, Berati ka kaluar pragun e 800 mijë turistëve dhe kjo është një shifër që askush nuk do ta imagjinonte dot.
“Po ashtu, volumi i kredive të marra nga familjet për të investuar në transformimin e banesave tradicionale, karakteristike në bujtina është mbresëlënës. Aktualisht janë 35 bujtina të reja që hap pas hapi do të hapin dyert e janë në proces”, u shpreh kryeministri.
Rama nënvizoi se ajo që është e kënaqshme, është se gjithë ky proces, përveç volumit, ka edhe një qasje shumë të saktë nga pikëpamja e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe e futjes së të resë me shumë kujdes duke krijuar shije, duke krijuar atraksion.
“Ishim me kryetarin tek kantieri i Tregut të Gjelbër të Beratit, që do të ketë 120 vende për prodhimet e fermerëve dhe ndërkohë po aty, diskutuam për vazhdimin e punës me një pikë moderne grumbullimi e përpunimi të vajit të ullirit e përpunimit të ullirit. Duhet të garantohet zinxhiri i vlerës e për këtë, në këtë rast, duhet të krijohen kushtet optimale që vaji të grumbullohet, të përpunohet e që pastaj fuqia shitëse e prodhuesve të rritet”, shtoi Rama.
Ai vuri në dukje se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re nga pikëpamja e jetës së vet si shtet, sepse ka hyrë në fazën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian që quhen ndryshe negociata, nuk janë negociata si mes dy palëve që bëjnë biznes apo dy palëve që duan të merren vesh për një çështje të natyrës politike.
Rama theksoi se ato janë negociata që e kanë të përcaktuar rolin e palëve.
“Bashkimi Evropian thotë duhet të bësh këtë, këtë, këtë e ti nuk mund të thuash “jo, dua të bëj këto të tria, por këto dy të tjerat nuk dua t’i bëj”, sepse ndryshe nuk anëtarësohesh. E këto detyra janë të vështira dhe faza e bisedimeve nuk është një fazë që përfshin thjesht dhe vetëm detyrat e qeverisë sepse në Bashkimin Evropian nuk do hyjë qeveria, do hyjë Shqipëria, e qeveria përfaqëson vetëm një pjesë të aktorëve që përbëjnë sistemin e Shqipërisë. Është qeveria, është Parlamenti, është gjyqësori, por edhe këto të tria bashkë nuk janë e gjitha sepse është sektori publik, por është edhe sektori privat dhe procesi i anëtarësimit ka detyrime të rënda edhe për sektorin privat, për bizneset, për cilësinë, për teknologjinë, për certifikimet, standardet, garancitë. Të gjitha këto kërkojnë lidership, të gjitha këto kërkojnë fuqi e të gjitha këto kërkojnë mbështetje, si shprehje e vetëdijes së shumicës dërrmuese të popullit që po, këto gjëra duhen bërë”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri Rama theksoi se ne sot kemi një pozicion ndërkombëtar që nuk e kemi pasur kurrë.
Sipas tij, edhe ky pozicion ndërkombëtar duhet konsoliduar dhe nuk duhet të jetë çështje thjesht e një momenti suksesi të një qeverie në Shqipëri, por duhet të jetë profili i Shqipërisë, profil i konsoliduar i Shqipërisë.
“Për këto e arsye, ne kemi një përgjegjësi shumë të madhe. Kur them ne, them ne socialistët. Ne, Partia Socialiste. Ne jemi këtu për të bërë ç’mos që të bëjmë gjithçka që e sotmja të bëhet më e mirë, por mbi të gjitha të bëjmë të pamundurën që e nesërmja të jetë e garantuar”, u shpreh ai.
Rama: Parti e madhe kjo, ka edhe trinjakë
Rama gjatë takimit me organizatat socialiste në Berat ka takuar edhe tre të rinj trinjakë, të cilët morën kartat e anëtarësisë në Partinë Socialiste.
“Parti e madhe kjo, ka edhe trinjakë”, shkruajti Rama në rrjetete sociale, ndërsa publikoi foton me tre djemtë.
/rtsh.al/