E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, pranga 16-vjeçarit, kapet me 170 doza marijuanë

Një 16-vjeçar nga qyteti i Beratit ka rënë në pranga të policisë, pasi në banesën e tij janë bllokuar 170 doza marijuanë, gati për shitje, ndërkohë që policia po punon për të zbardhur skemën e këtij trafiku droge.

Burime zyrtare të policisë të Beratit bëjnë me dije se mesditën e sotme nga ana e strukturave të seksionit kundër narkotikëve është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar "Urgjenca", nga ku u bë e mundur sekuestrimi i 170 qeseve me lëndë narkotike e llojit marijuanë, ndërkohë që ka rënë në pranga të policisë shtetasi me iniciale A. D, 16 vjeç, banues në këtë qytet. Arrestimi i 16- vjeçarit u bë, pasi gjatë një kontrolli që policia bëri në banesën e tij në lagjen "Kushtrim" u gjet sasia e drogës, gati për tregëtim.

Ky person mësohet se ka qënë nën vëzhgimin e inspektorëve të anti drogës, pasi dyshohet se tregëtonte drogë në këtë qytet. Ai u prangos nga policia dhe do të përballet me veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike", ndërkohë që po punohet për të zbardhur skemën e këtij trafiku droge, pasi dyshohet se në të janë përfshirë dhe persona të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›