E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, zhduket prej tre ditësh polici i paraburgimit, familja denoncon në polici

Ka dal nga shtëpia duke u treguar familjarëve të tij se po shkonte në punë dhe prej atëherë nuk është bërë më i gjallë. Kështu kanë denoncuar në komisariatin e policisë, familjarët e një 46- vjeçari, baba i dy fëmijëve, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij. Foto Buhali, 46- vjeçar, banor i lagjes Kala në qytetin e Beratit, është denoncuar dje në mesditë si i zhdukur prej familjarëve. Ngjarja ka ndodhur ditën  e mërkurë paradite ku  Buhali, baba i dy fëmijëve ka dalë si gjithmonë nga shtëpia e tij, duke u thënë familjarëve se do shkonte në pazar dhe më pas drejt e në punë, pasi ishte turni i natës si gardian në dhomat e paraburgimit pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Berat. Buhali kishte rreth tre vjet që kishte nisur punën në këtë sektor dhe sipas drejtuesve të paraburgimit ai ishte korrekt dhe pa probleme. Gjatë denoncimit në komisariat, bashkëshortja e tij, Lila ka pohuar se 46- vjeçari Buhali në momentin e largimit ka pasur të veshur një Xhup meshin ngjyrë kafe, këmishë vishnje, pantallona kafe dhe gjithë pajimet e punës së tij si polic. Ajo i është përgjigjur pyetjeve të bëra gjatë denoncimit se mos kishin pasur ndonjë grindje apo problem tjetër familjar, por ajo u është përgjigjur se nuk ekzistonte asnjë gjë e tillë dhe ndërkohë ka pohuar se Buhali ishte njeri pa probleme dhe me marrëdhënie të mira dhe në lagjen ku banonin. Pyetjes se përse nuk kishin njoftuar më parë familjarët, ata i janë përgjigjur se e dinin se ishte në punë dhe mund të kishte zëvendësuar ndonjë shok. "Ne e morëm vesh mosprezencën e tij në punë vetëm kur një shoku i tij u shfaq dje në shtëpi duke e kërkuar, pasi duhej të paraqitej se kishte tre ditë që kishte munguar. Burime nga drejtues të dhomave të paraburgimit kanë bërë me dije se mungesa e tij ishte konsideruar se ishte i sëmurë dhe ndodhej në shtëpi, pasi ditët e fundit kishte shfaqur simptoma të dhimbjes së kokës. Burime të komisariatit të policisë së Beratit kanë bërë me dije se menjëherë pas marrjes së denoncimit kanë kryer procedurat e nevojshme dhe kanë shpallur në kërkim 46- vjeçarin Foti Buhali. Po sipas tyre, menjëherë janë njoftuar të gjitha komisariatet dhe pikat e kalimit kufitar duke shpërndarë dhe foton e tij, ndërkohë që kanë nisur dhe kontrollet në njerëzit e afërt të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›