Korçë, sebep i divorcit, gruaja qëllon me thikë ish të dashurin
Një grua ther me thikë ish- të dashurin e saj, pasi e akuzon për shkaktar të divorcit me të shoqin. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit juglindor, në një lokal ku agresorja ka shkuar e armatosur me thikë për të kryer krimin e saj, i cili nuk është mundur të shmanget plotësisht. Majlinda Denasi, banore e fshatit Goskovë në rrethin e Korçës, gjatë paradites së të premtes ka vendosur të shkojë në qytetin e Korçës për t'u sqaruar me ish- të dashurin e saj më të ri, i cili e kishte lënë disa kohë më parë.
40- vjeçarja menjëherë ka shkuar në lagjen 9 të Korçës, në lokalin e 32- vjeçarit Vasil Goskova, pasi ka mësuar që ai porsa kishte hapur biznesin e ri. Denasi mësohet të jetë takuar me këtë të fundit, për ti kërkuar shpjegime për ndarjen e tij të pakuptimtë. Sipas sqarimeve që ajo ka dhënë në polici pas ngjarjes, mësohet se 40- vjeçarja, nënë e një fëmije ishte divorcuar pak kohë më parë, ndërsa shkaktar për këtë divorc ishte bërë lidhja e saj jashtë martesore me Vasil Goskovën. Ajo i ka kërkuar ish- të dashurit arsyet pse e ka braktisur, por dhe që nuk mbajti premtimin për martesë. Gruaja ka pohuar gjithashtu se ka qenë pikërisht 32- vjeçari që e ka imponuar me çdo kusht të kryente divorcin zyrtar me të shoqin që të mund të kishte ai lirshmërinë të kryente një martesë zyrtare. Por asnjë nga këto premtime nuk kanë ndodhur deri në momentin që gruaja e dashuruar e ka bërë fakt prishjen e lidhjes së saj bashkëshortore me një kërkesë në gjykatë. Pas divorcit, i dashuri që ka hapur dhe një lokal në qytetin e Korçës, i ka ndërprerë lidhjet me të duke iu shmangur çdo lloj përballjeje me të. Kaq ka mjaftuar që nëna e një fëmije, që për më tepër mban dhe një divorc të freskët mbi shpatulla, të marrë një vendim. Ajo ka shkuar në aktivitetin e porsahapur të ish- të dashurit të saj për t'u shpjeguar për largimin e tij të paarsyetuar. Fjalët kanë sjellë njëra-tjetrën, ndërsa Majlinda Denasi ka pasur edhe një thikë që e kishte marrë me vete, të cilën e ka vënë në veprim. Ajo e ka qëlluar në shpinë ish- njeriun e zemrës duke i shkaktuar atij plagosje të rëndë, ndërsa pas këtij momenti i plagosuri e ka fyer dhe ka tentuar ta nxjerrë me dhunë nga lokali. 32- vjeçari është transportuar me urgjencë në spitalin e Korçës, ndërkohë që sipas bluzave të bardha të këtij spitali ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq gruaja është arrestuar në kushtet e flagrancës për veprën penale të vrasjes me dashje e mbetur në tentativë. Policia ka nisur hetimet, teksa gruaja ka pohuar se ka kryer gjithçka për vetëmbrojtje kur ish- i dashuri i saj ka ushtruar dhunë përveç fyerjeve në adresë të saj të cilat kanë qenë të shumta.