Berati mirëpriti rreth 550 mijë turistë gjatë periudhës janar-maj 2026

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Rreth 550 mijë vizitorë kanë vizituar Beratin gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, duke e konfirmuar qytetin muze si një nga destinacionet turistike më të preferuara në Shqipëri.
Referuar të dhënave zyrtare, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo bëri të ditur se “rreth 85% e fluksit të turistëve përbëhet nga vizitorë të huaj”.
“Rreth 550 mijë vizitorë e kanë vizituar Beratin brenda 5 muajve të parë të vitit 2026, nga të cilët rreth 85% e të gjithë fluksit turistik janë të huaj. Një tjetër konfirmim se Berati është zgjedhja e preferuar e turistëve ndërkombëtarë”, tha Demo.
Sipas tij, turistët po frekuentojnë çdo ditë atraksionet historike dhe natyrore të zonës, duke përfshirë Kalanë e Beratit, lagjet muzeale Mangalem e Goricë, kantinat e verës, agroturizmet, si dhe aktivitetet në natyrë si rafting në Osum dhe ecjet malore në Qafë-Dardhë dhe malin e Tomorit.
Demo vlerësoi se trashëgimia kulturore, natyra, gastronomia dhe mikpritja karakteristike beratase po e bëjnë qytetin një destinacion tërheqës për turistët vendas dhe të huaj, ndërsa atmosfera e gjallë e lagjeve historike dhe aktivitetet kulturore gjatë fundjavave po kontribuojnë në rritjen e interesit për këtë destinacion.
1 nga 7/e.xh/a.f/r.e/