E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Beratinus" fiton "Madonën e Kristaltë"

Regjisori Ylli Pepo ka sjellë në Tiranë një kupë të festivalit të pestë ndërkombëtar të filmit kristian, që u zhvillua në qytetin turistik Gllubokoje të Bjellorusisë, në fund të muajit qershor.

Ky festival, i vetmi i këtij lloji në botë, zgjedh filma që kanë në qendër të tyre fenë dhe lidhjet e saj me kulturën dhe historinë e kombeve. Në edicionin e sivjetshëm, 102 vende të botës dërguan produksionet e tyre më të mira.

Nën gjykimin e një jurie profesioniste, të përbërë nga akademikë, profesorë, historianë dhe kineastë të njohur, u përzgjodhën 15 vende për konkurrim final. Ishin vende të njohura për kinematografinë e tyre të zhvilluar si Italia, Gjermania, Kanadaja, Rusia, Australia, Spanja, Polonia etj. Ndër to u zgjodh edhe Shqipëria që konkurroi me filmin dokumentar "Beratinus" me skenar të prof. Shaban Sinanit dhe Tom Thercajt, me regjinë e Ylli Pepos dhe kamerën e Anton Grishajt dhe Bujar Kores. Ky film është një prodhim i kompanisë filmike "Grishaj Film Produksion", i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Bashkia e Beratit dhe Drejtoria e Programeve Satelitore e RTSH. "Beratinus" fitoi një ndër çmimet kryesore të festivalit, Çmimin e Jurisë me motivacionin "Për shprehje të lartë të gjuhës filmike për të popullarizuar lidhjet e religjionit me kulturën gjatë historisë së një kombi". Ai u shoqërua me "Madonën e Kristaltë", një vepër e punuar me dorë që paraqet Marinë me Jezusin fëmijë.

Për filmin, u shprehën me fjalë të ngrohta edhe pjesëmarrës të shumtë. Drejtori i festivalit, regjisori i njohur Juri Guroulev, u shpreh se "ky film na hapi një dritare plot ngjarje dhe histori të panjohura të një kombi të vogël, por siç po e shohim, të madh në kulturë…". Ndërsa anëtarja e jurisë, Tatjana Dubovec, gazetare lituane, u shpreh se "Beratinus" mund të krahasohet me prodhimet më të mira të kësaj fushe të BBC angleze. Çmimi që i dhamë është plotësisht i merituar, edhe pse në festivale të tilla fitojnë gjithnjë vende të mëdha…". Në këtë edicion të pestë çmimin e madh të festivalit e fitoi filmi "Rezervati Rus" i regjisorit nga Rusia, Valeri Timoshenko, kurse çmime të veçanta morën edhe filmat "Në thellësi të errësirës Aushvic" i gjermanit Cristof Wolf dhe "Udha e shpresës" i kanadezeve David Naglieri dhe Mark Bondinjon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›