E Diel, 1 Nëntor 2026

Pekini akuzon separatistët në mërgim për situatën

Rreth 140 persona janë
vrarë gjatë përleshjeve, në
krahinën veriperëndimore
të Kinës së Xinjijangut. Qeveria ka
fajësuar separatistët në mërgim
për organizimin e trazirave më
të rënda në vend që pas shumë
vitesh. Qindra demonstrues janë
arrestuar, sipas të dhënave të
agjencisë së lajmeve kineze, "Xinhua",
pas acarimit të ujgurëve që
kanë dalë në rrugë në kryeqytet
të dielën dhe kanë shkaktuar trazira.
Këto trazira kanë ndodhur
në një zonë shumë të brishtë e
me tensione të herëpashershme
etnike. Së bashku me Tibetin,
Xinjijang është një nga rajonet
më problematike dhe në të dyja
rastet qeveria mban nën kontroll
të rreptë si fenë, ashtu edhe jetën
kulturore të vendit. Sipas analistëve,
trazirat e fundit në këtë
rajon të largët nuk priteshin në
këto përmasa. Sipas Pekinit, ato
nuk do të kenë asnjë ndikim në
ekonominë e vendit, por do të
jenë të dëmshme për imazhin e
Kinës, i dëmtuar rëndë deri më
tani nga sa kanë ndodhur kohët
e fundit në Tibet. Sipas burimeve
zyrtare kineze, këto trazira janë
shkaktuar nga ekstremistët që
ndodhen jashtë Kinës. Më saktësisht,
është fajësuar Kongresi Botëror
Ujgur, i drejtuar nga Rebyija
Kadeer, një biznesmene ujgure,
tashmë në mërgim në Shtetet e
Bashkuara, që ka kaluar vite në
burg dhe akuzohet për aktivitet
separatist. Vetë ajo nuk ka deklaruar
asgjë për të komentuar këtë
akuzë. Grupet ujgure në mërgim
nuk kanë pranuar akuzat e qeverisë
për organizim të komploteve.
Sipas tyre protestat janë shkak i
sjelljes së qeveritarëve kinezë në
krahinë. Sipas shefit të Partisë
Komuniste Ujgure, numri jashtëzakonisht
i madh i të vrarëve
është një tregues shumë i qartë i
asaj çka po ndodh në Kinë. Ndërkohë
veç të vrarëve, 816 persona
janë plagosur. Agjencia kineze e
lajmeve nuk ka dhënë identitetin
etnik të të vrarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›