Berisha - Mohamad: Malajzianët të investojnë në Shqipëri
Ish-Kryeministri i Malajzisë, dr. Mahathir Mohamad, impresionohet nga ndryshimet e mëdha dhe progresin e arritur nga Shqipëria në këto vitet e fundit. Kryeministri Sali Berisha priti në Tiranë ish-Kryeministrin e Malajzisë, dr. Mahathir Mohamad, dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Berisha i shprehu z. Mohamad mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë përkrahjen e rëndësishme të tij dhe të qeverisë së Malajzisë ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, duke qenë ky një kontribut shumë i madh si për vendin tonë ashtu edhe për rajonin e Ballkanit. Kjo vizitë, - u shpreh Kryeministri, - merr një rëndësi të veçantë edhe për të inkurajuar investitorët malajzianë, të cilët duan të investojnë në Shqipëri dhe që janë të mirëpritur dhe do të mbështeten fuqishëm nga qeveria shqiptare. Kryeministri Berisha u shpreh se përpara 20 viteve Shqipëria ishte një vend me të ardhura shumë të ulëta për frymë, 284 $, sot këto të ardhura janë 7000 $ për frymë dhe në të gjitha hapat e ndërmarrë për të arritur deri këtu, Malajzia ka qenë një nga shembujt më frymëzues për qeverinë shqiptare. Kryeministri Berisha e njohu z. Mohamad me të gjitha reformat e rëndësishme dhe hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në drejtim të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për shqiptarët dhe në drejtim të krijimit të klimës sa më të favorshme për biznesin e huaj, për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha që ofron vendi në fusha të ndryshme si në energji, infrastrukturë, turizëm etj. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij që disa investitorë malejzianë kanë filluar investimet e tyre që në vitin 1993 dhe ende vazhdojnë me sukses investimet e tyre këtu. Z. Mohamad u shpreh se ka një interes në rritje të investitorëve nga Malajzia për të investuar në Shqipëri, veçanërisht në turizëm dhe në infrastrukturë, duke nënvizuar se do të mbështeste dhe do të nxiste interesin e këtyre kompanive për të investuar në Shqipëri.