Berisha - Stronestreet: “Këto zgjedhje arritën standardet, institucionet iu përmbajtën ligjit”

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Kreun e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR Jonathan Stonestreet dhe delegacionin që e shoqëronte. Kreu i qeverisë, Berisha i shprehu mirënjohjen atij për kontributin që ai dhe delegacioni i OSBE/ODIHR-it dhanë në vëzhgimin me profesionalizëm të lartë të zgjedhjeve vendore të 8 majit në Shqipëri. Nga ana e tij, Stronestreet falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ai dhe deklaroi se ai dhe misioni i tij patën me qeverinë shqiptare dhe gjithë institucionet e saj. Më tej Stronestreet vlerësoi transparencën e plotë që Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij i ofruan, duke u krijuar të gjitha kushtet për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me sukses të plotë misionin e tyre. Më tej në këtë takim u vlerësua ecuria e qetë dhe pa asnjë incident e procesit zgjedhor gjatë ditës së zgjedhjeve, saktësia dhe transparenca e procesit të numërimit, gjatë të cilit vëzhguesit shqiptar dhe ata ndërkombëtar patën akses të plotë për të vëzhguar numërimin e votave të qytetarëve shqiptarë. Po ashtu në këtë takim u vlerësuan edhe një sërë aspektesh pozitive të cilësuara si arritje në këto zgjedhje, në dallim me zgjedhjet e mëparshme dhe që janë përfshirë edhe në Raportin e Ndërmjetëm të ODIHR. Kreu i Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, Stronestreet ka vlerësuar gjithashtu edhe sjelljen tërësisht profesionale dhe të paanshme të Policisë së Shtetit gjatë gjithë procesit. Ai theksoi ndër të tjera se në aspektin e përdorimit të burimeve të administratës publike u pa një përmirësim i qartë në krahasim me zgjedhjet e shkuara. Në takim këtë takim të dy palët u theksuan gjithashtu rëndësinë e fillimit sa më shpejtë të reformës zgjedhore, si dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të mëparshme si dhe atyre që do të dalin nga raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, për konsolidimin e një procesi zgjedhor sa më efikas dhe garantues për zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve evropiane. Gjithashtu Stronestreet theksoi se Misioni i OSBE/ODIHR do të ndjekë të gjitha fazat e procesit zgjedhor deri në përmbylljen e plotë të tij.
...