KQZ numëron votat e panumëruara, mbërrin në kutitë e fundit të njësisë nr. 5

Lulzim Basha kryeson garën e Tiranës me 81 vota diferencë. Kandidati demokrat: Nuk ka fitues pa u numëruar çdo votë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të numërojë votat e hedhura në kutitë e gabuara, gjatë procesit të votimit në 8 maj. KQZ, institucioni që në rastin konkret luan rolin e një KZAZ-je për Tiranën, po administron procesin me korrektësi dhe në bazë të imponimit që i ngarkon ligji dhe Kodi Zgjedhor.
Nga numërimi i fletëve të kontestuara, të cilat nga Ristani quhen fletë të pa-numëruara, në 87 kuti votimi, Lulzim Basha ka arritur të sigurojë 143 vota kundrejt 62 votave të Edi Ramës.
Kësisoj, kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është vetëm një hap larg konfirmimit si kryetar i bashkisë së Tiranës, ndërkohë që, për t’u numëruar kanë mbetur vetëm kutitë e kontestuara të njësisë bashkiake nr. 5 në kryeqytet. Kështu, Lulzim Basha është në një diferencë totale prej 71 votash para rivalit të tij Edi Rama. Me përfundimin e votave të kontestura nga njësia bashkiake nr. 5, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë rezultatin përfundimtar për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Basha: Nuk ka fitues pa u numëruar çdo votë
Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha vlerëson procesin zgjedhor dhe deklaratat e ndërkombëtarëve për maturi dhe qetësi, deri në nxjerrjen e rezultatit final për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës. Basha tha se askush nuk duhet të deklarohet fitues derisa zërat e të gjithë qytetarëve të jenë dëgjuar, dhe procesi normal ligjor të ketë përfunduar.
“Dëshiroj të falënderoj edhe një herë të gjithë qytetarët e Tiranës që zgjodhën të marrin pjesë në këtë proces demokratik dhe të thonë fjalën e tyre. Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj numëruesit, komisionerët dhe vëzhguesit që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në mirë-funksionimin e demokracisë në vendin tonë, si dhe komunitetin ndërkombëtar, Trojkën e Ambasadorëve dhe misionin e ODHIR-it për angazhimin e tyre gjatë gjithë këtij procesi”, u shpreh kandidati demokrat, në një dalje për mediat dje pasdite.
Duke shtuar se në mënyrë të veçantë, dëshiroj të falënderojë për deklaratat e tyre, Catherine Ashton, përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Ndihmës- Sekretarin Amerikan të Shtetit, Phillip Gordon, por edhe policinë për profesionalizmin dhe maturinë që vazhdon të tregojë ndërsa ky proces përparon. “Padyshim, ndihem optimist nga rezultatet ndërsa KQZ-ja duke vepruar si KZAZ për Tiranën vazhdon shqyrtimin e votave të pa-numëruara të vendosura në kutitë për funksione të tjera. Që në fillim te procesit të numërimit unë kam thënë se çdo votë duhet të numërohet dhe zërat e të gjithë qytetarëve duhet të dëgjohen, dhe vazhdoj të mbetem i vendosur për këtë”, vijon mesazhi i Bashës.
Duke shtuar se procesi vazhdon dhe duhet të vazhdojë në një mënyrë të qetë dhe konstruktive në kuadër të institucioneve ekzistuese dhe kornizës ekzistuese ligjore.
“Kjo garë është shumë e ngushte, dhe veçanërisht sepse është kaq e ngushtë, duhet t’i përmbahemi ligjit, dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet duhet të përdorim institucionet zgjedhore. Bllokimi i rrugëve, konfliktet me policinë, apo protestat e dhunshme para KQZ-së nuk ndihmojnë në ecjen para të këtij procesi. Ky proces është më transparent se kurrë, dhe unë kam besim të plote se do të vazhdoje të jetë kështu deri në përmbyllje të tij. Votat e hedhura në kutitë për funksionet e tjera janë administruar nga komisionerët e të dyja palëve, dhe janë hapur, vlerësuar dhe numëruar drejtpërdrejt në televizion para syve të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe të mbarë botës”, përfundoi kandidati demokrat, Lulzim Basha.