Berisha – pensionistëve: Kartë konsumatori, zgjerim i listës së rimbursimit të ilaçeve

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot programin e PD-së për pensionistët. Berisha tha se tre muajt e parë do të vendosim minimumin jetik 200 euro dhe se çdo pension do të rritet me 20%.
“Kemi vendosur nga buxheti i shtetit të marrim fondin dhe të vendosim për çdo shqiptar të rritur minimumin jetik 200 euro. Të gjithë pensionistët, dhe nuk janë pak, por janë dy të tretat e tyre, të cilët marrin nën 200 euro, tre muaj pas ardhjes në pushtet të PD, me buxhetin e parë, ata do të marrin 200 euro. Pensionet e tjera mbi 200 euro, do të rriten me 20%”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se “do të vendosim kartën e konsumatorit, të cilën do ta ketë çdo pensionist dhe çdo rrogulët, që do të marrë kthim të TVSH-së rreth 450 euro në vit. I bie afërsisht rreth 3 pensione aktuale”.
“Pensionistët nuk do ta blejnë ushqimin njësoj si rrogëtarët. Pensionistët do ta blejnë me atë çmim, por shteti do t’u kthejë atyre TVSH-në e çmimit, 20 përqindëshin”, tha Berisha.
Berisha premtoi se “do të zgjerojmë listën e rimbursimit të ilaçeve”.
“Dy gjërat me ilaçet. Ju garantoj se ilaçe të pasigurta nuk do të hyjnë në Shqipëri në mënyrë kategorike, sepse do të rikthejmë ligjin që kishin, që ndalonte tregtimin e ilaçeve që nuk tregtoheshin së paku në dy vende të BE. Ilaçet që tregtohen në BE kontrollohen nga enti i BE për ilaçet dhe janë të sigurta, se e kanë lëndën aktive që vepron dhe nuk ka lëndë të tjera të rrezikshme. Ne rikthejmë këtë ligj në 100 ditët e para”, tha Berisha.
“Ne do të ulim çmimin e energjisë elektrike nga 9,5 që u bë tani, ne do ta ulim në 7. Do të përgjysmojmë tarifën e ujit për pensionistët dhe rrogulëtit”, the Berisha.
“11 maji është një ditë që bën ndryshimin e madh dhe unë ftoj çdo pensionist, pavarësisht nga bindjet e tij, të bashkohet në këtë përpjekje të përbashkët”, u shpreh Berisha.
/a.f//r.e/