E Martë, 3 Nëntor 2026

Bido kallëzon për shpifje zëdhënësen e PD-së

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në listat e hapura në qarkun e Vlorës, Ardit Bido bëri të ditur se ka depozituar në Gjykatën e Tiranës kallëzim për shpifje ndaj zëdhënëses së Partisë Demokratike.

Sipas Bidos, “KQZ-ja ka zbardhur të vërtetën dhe ka sqaruar zyrtarisht se unë jam i pezulluar nga detyra si drejtor i përgjithshëm i Arkivave, përpjekja për të krijuar mjegull, nga ana e PD-së, bie poshtë. Faktet flasin vetë”.

“Unë nuk besoj se kjo është politika. Politika nuk lind nga zhurma, por nga përgjegjësia. Nga përballja me qytetarët, jo nga sulmet ndaj kundërshtarit”, shtoi më tej Bido.

Sipas Bidos “politika janë ofertat që u japim qytetarëve për t’i përfaqësuar me dinjitet në Parlament. Të jemi zëri i halleve të tyre, i shqetësimeve të tyre, i bindjeve të tyre”.

“Besueshmëria politike nuk ndërtohet mbi baltë. Ndërtohet mbi atë që ke bërë në jetë, jo mbi çfarë shpif për tjetrin”, u shpreh Bido.

“Për këtë arsye, shpifjes nuk i përgjigjemi me po të njëjtën monedhë. I përgjigjemi aty ku duhet, në gjykatë. Sepse ky vend meriton debat, jo baltë. Drejtësi, jo zhurmë”, nënvizoi Bido.

Pak ditë më parë zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të përjashtojë nga lista kandidatin socialist në Qarkun e Vlorës, Ardit Bido.

Përmes një deklarate nga selia blu, Vangjeli u shpreh se Bido bën fushatë për deputet duke qenë ende në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›