Berisha: Mauzoleum për Zogun, njeriu që ndërtoi shtetin shqiptar
Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, kryeministri Berisha ka thënë se në Tiranë do të ngrihet edhe një mauzoleum për Familjen Mbretërore. Sipas Berishës, Ahmet Zogu ka qenë njeriu që ka ndërtuar shtetin shqiptar, por është fshirë nga historia nga ana e regjimit komunist. Ai ka thënë se po përpiqet që të nxjerrë në dritë të vërtetat e mëdha të fshehura.
Enver Hoxha urdhëroi dhunimin e varrit të nënës së Mbretit Zog, për fajin e vetëm se i kishte dhënë Shqipërisë birin që ndërtoi shtetin. Për këtë arsye do të ndërtohet nja mauzoleum, i cili do të jetë më i madh se sa ishte varri i nënës së tij, sepse aty do të prehet Mbreti vetë, Mbretëresha Geraldinë, Leka i Parë dhe bashkëshortja e tij. Pra, do të jetë një varrezë mbrëtërore.
Ka një keqkuptim. Në gjithë përpjekjen tonë, ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse përpiqemi të nxjerrim në shesh të vërtetat e mëdha. Nëse një figurë e varrosur nga historia, nxirret në dritë, kjo nuk do të thotë se harrohen figurat e tjera apo kalohet në idealizma.
Në historinë tonë kemi pasur qëndresa, tradhtia, pasi në fund të fundit, atë që ia kemi bërë vetes ne shqiptarët, nuk na e ka bërë kush. Ndaj dhe nuk duhet parë kjo si një përpjekje për të ngritur një figurë dhe për të ulur jo. Por, e vërteta ishte se Ahmet Zogu ishte një figurë e ndaluar në historinë shqiptare.
Tjetër punë se Zonja e Zezë, bashkë me një gazetën e saj, vjell vrer përditë kundër historisë së vërtetë dhe kundër vendit, përveç të shoqit dhe vetes së vet, të cilët duhet ta kishin vendin në Gjykatën e Hagës. Kjo është e vërteta, tha Berisha.