E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha- opozitës: Shqipëria e zhvilluar edhe në periferi

TIRANË Inaugurimi i rrugës së Vaqarrit, që përshkon fshatrat e komunës Vaqarr, duke i shërbyer njëkohësisht edhe fshatrave të komunës Baldushk, Farkë e Ndroq, ka qenë një mundësi e mirë për kryeministrin Sali Berisha për t’u kthyer përgjigje akuzave të PS-së. “Këtë qeveri e akuzojnë se po ndërton rrugë në fshatra, se po merret shumë me fshatrat. Unë ju garantoj ju se ne do të bëjmë gjithçka, se jo ju që jeni ngjitur me Tiranën, por edhe në fshatrat më të largëta të këtij vendi, të kenë infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Shqipëria e zhvilluar nuk mund të jetë Shqipëria e metropolit të zhvilluar, në Tiranë, dhe e mesjetës në zonat e tjera. Do të jetë e zhvilluar në çdo pëllëmbë të territorit të saj. Ndaj dhe do t’u them këtyre zotërinjve, të cilët katër vjet më parë do të deklaronin se për Berishën votuan eskimezët dhe në këto zgjedhje nuk dinë ç’të thonë më, se ne nuk i ndajmë shqiptarët në të dorës së parë dhe të dorës së dytë. Ne i duam shqiptarët aty ku janë. Ne frymëzohemi me punën e tyre, me përkushtim e tyre dhe ne jemi të bindur se së bashku me ta do ta bëjmë Shqipërinë një nga vendet më të zhvilluara, më të begata të rajonit”, - tha Berisha, duke shtuar se sot komunat përreth Tiranës kanë biznese më shumë se kishte vetë kryeqyteti 5 vjet më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›