E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja zbardh vendimin: Ilir Beqja, jo më deputet

Gjykata Kushtetuese argumenton se momenti i betimit të deputetit shënon vetëm datën e fillimit të ushtrimit të detyrës së tij si deputet, dhe jo fillimin e mandatit të deputetit.

TIRANË Ndërprerja e mandatit të deputetit Ilir Beqja është vetëm çështje ditësh. Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin e plotë të saj, ku konstaton papajtueshmërinë e mandatit të deputetit Ilir Beqja. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe do të hyjë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Në vendimin e zbardhur, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e deputetit Beqja, që lidhen me votimin e hapur që u bë në Kuvend ndaj tij dhe mosarritjen e kuorumit të nevojshëm; 71 anëtarë të Kuvendit.

Lidhur me shkakun e parë për pavlefshmërinë e votimit, pra të votimit të hapur, Gjykata vëren se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Rregullorja e Kuvendit nuk parashikojnë mënyrën e votimit për raportin e 1/10 së anëtarëve të Kuvendit, kur vendoset dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. Gjykata vlerëson se vota e deputetëve nuk është e detyrueshme të jetë e fshehtë në të gjitha rastet, pasi deputetët janë pjesë e një organi ku formohet vullneti politik. Nisur nga ky fakt, Gjykata vlerëson se mënyra se si duhet votuar (hapur apo fshehtë), në rastet kur nuk është përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit mund të vendoset nga vetë deputetët, sipas rastit dhe çështjes, duke iu referuar edhe praktikave të mëparshme të ngjashme, nëse ka. Beqja pretendonte në kërkesën e tij ankimore se

meqenëse votimi për miratimin e vendimit të Kuvendit kishte të bënte me një deputet konkret, votimi duhej të ishte bërë i fshehtë. Por Gjykata thekson në argumentimin e saj se për çështjen në fjalë, anëtarët e Kuvendit nuk votuan për heqjen ose për pavlefshmërinë e mandatit të deputetit Ilir Beqja, por votuan për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar ose jo papajtueshmërinë e mandatit të tij. Gjykata ka hedhur poshtë edhe argumentin e dytë lidhur me pavlefshmërinë e vendimit të Kuvendit, për shkak të mosarritjes së shumicës së kërkuar për miratimin e tij. Gjykata argumenton qëndrimin e saj të mëparshëm se për përcaktimin e kuorumit në një proces votimi duhet t’i referohemi vetëm numrit të deputetëve që kanë votuar dhe jo numrit të përgjithshëm të deputetëve, që ndodhen në sallë dhe që nuk votojnë. Gjykata çmon se një deputet që nuk shpreh vullnet me votën e tij, nuk ndikon në procesin e votimit në Kuvend e për pasojë nuk duhet të llogaritet në konceptin “shumicë e të pranishmëve” për efekt të kuorumit të votimit. Lidhur me papajtueshmërinë me funksionin e deputetit, Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se megjithëse mandati i deputetit, në pamje të parë mund të konsiderohet si individual, ai nuk mund të kuptohet i shkëputur nga mandati i Kuvendit. Detyrimet për deputetin, sipas Gjykatës Kushtetuese, fillojnë që në momentin e fillimit të mandatit parlamentar. ”Nëse do të pranonim të kundërtën, atëherë do të rezultonte që Kuvendi i ri mblidhet në seancën e parë të tij në praninë e personave pa mandat për të qenë pjesëmarrës në të”, - thuhet në vendimin e zbardhur. Sipas Kushtetueses, betimi është një akt që shërben për të deklaruar vullnetin, gatishmërinë, bindjen dhe vendosmërinë e mëtejshme të deputetit të mandatuar për të ushtruar funksionin e përfaqësuesit në Kuvendin e ri. Për pasojë, betimi nuk është kusht për të bërë të vlefshëm mandatin e deputetit, pasi këtë gjë e ka bërë komisioni zgjedhor. Për pasojë, Gjykata çmon se momenti i betimit të deputetit shënon vetëm datën e fillimit të ushtrimit të detyrës së tij si deputet, dhe jo fillimin e mandatit të deputetit. Në bazë të nenit 71/1 të Kushtetutës, megjithëse Ilir Beqja ka bërë betimin si deputet në datën 25.2.2010, mandati i tij parlamentar konsiderohet i fituar në momentin e shpalljes deputet nga KQZ-ja, pra në datën 1.8.2009, dhe jo ditën e betimit. Duke shqyrtuar në tërësi faktet dhe rrethanat e çështjes, Gjykata çmon se deputeti Ilir Beqja ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë së parashikuar nga neni 70/3 i Kushtetutës, kur ka marrë pjesë në tenderin e organizuar nga Bashkia Durrës dhe ka lidhur kontratë me përfaqësuesit e saj për informatizimin e mjediseve të asaj bashkie, pasi atij i kishte filluar mandati i deputetit. Sipas Gjykatës, deputeti Ilir Beqja kishte detyrimin që në momentin e shpalljes së tij fitues nga KQZ-ja të shmangte çdo rast të papajtueshmërisë. “Së dyti, mosbërja e betimit nga ana e tij nuk mund të paraqitet si shkak i ligjshëm, pasi ky veprim ishte rezultat i vendimmarrjes personale të tij, bazuar mbi motive politike të bëra publike pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, - thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të firmosur nga 9 anëtarë të saj. I vetmi anëtar që ka kundërshtuar argumentin e mësipërm ka qenë Sokol Berberi, i cili ka votuar kundër vendimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›