E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj në Vlorë: E vërteta e partisë së re

Deputetët Malaj dhe Harasani kanë deklaruar dje në Vlorë, se PS-ja nuk duhet të qeverisë me modelin ‘Berisha’. Sipas tyre, PS-së i duhet një model i ri politik.

VLORË Deputetët socialistë, Arben Malaj dhe Andis Harasani kanë kërkuar dje një model të ri politik për Partinë Socialiste. Gjatë një takimi me të rinjtë në Vlorë, deputeti Harasani ka deklaruar se PS-ja nuk duhet të bëhet OJQ, që herë bojkoton e herë hyn në grevë urie. Ndërsa deputeti Malaj ka theksuar se pushteti në PS nuk duhet të përqendrohet në pak duar. “Jemi 20 vite tranzicion, që mbahemi peng nga dy parti të cilat nuk kanë demokraci të brendshme. Fajtor që Shqipëria qeveriset nga Berisha, Meta, jemi vetëm ne. Këto janë disa nga pikat që do donim të diskutonim me ju. PS-ja të mos bëhet OJQ, që herë bojkoton, herë hyn në grevë urie”, - tha dje Harasani. Ndërsa deputeti Malaj ka theksuar se prej tri vitesh vendi ndodhet në një krizë të thellë politike. “Tri ditë më vonë do të shohim sërish që në tabelën e Brukselit do të marrim notën katër. Dhe ky nuk është faji i shqiptarëve, por politikanët shqiptarë po ngelin në klasë. Kemi ngelur në klasë, pasi politikanët janë të orientuar nga mbijetesa politike. Është një moment kritik, që duhet të ndërgjegjësohemi...”, - tha dje Malaj, duke shtuar se duhet diskutuar rreth një modeli të ri politik. “Mesazhi që japin liderët është: S’ka nevojë të ecni, s’ka nevojë për asgjë, thjesht ju mbështes unë. Vihen re tendenca në PS, që thjesht quhen riorganizim. Çfarë duhet të bëjmë? Rritja e lirive. Pushteti përqendrohet në pak duar. Ata që marrin mandate politike, nisin e bëjnë pazar për vendet e punës, duke u krijuar një cikël të mbyllur...Ka zënie fryme të strukturave në bazë. Ne jemi rritur me PS-në, por tani ka dalë një shpikje tjetër organizative. Tani po ndihet edhe më shumë që liria juaj është gjithmonë duke u kufizuar. Vendet e tjera demokratike shohin me shqetësim këtë përqendrim të pushtetit në pak duar...”, - tha ai. Malaj i është përgjigjur edhe interesimit të të rinjve lidhur me paktin e propozuar nga kryetari i opozitës, Edi Rama. Deputeti i PS-së tha se palët duhet të ulen në bisedime. Malaj shprehu rezerva edhe për mënyrën se si po punohet në PS. “Që në vitin 2013 Berisha të iki nga skena politike, na duhet më tepër demokraci dhe jo solidaritet për të qenë së bashku formalisht”, - tha ai. Malaj i është përgjigjur edhe pyetjes për një parti të re politike. “Unë e kam krijuar një parti të re në ’91-in. Atëherë kur të tjerët strukeshin dhe bënin pazare, krijuam Partinë Socialiste. Ajo që ne kërkojmë është që PS-ja të mos radikalizohet. Kjo është edhe strategjia jonë. Ne nuk kemi bërë qëndrime populiste, por kemi thënë atë që ju keni të qartë. PS-ja nuk duhet të qeverisë me modelin Berisha. PS-ja ka qenë forca më demokratike në Shqipëri... Nuk jemi të angazhuar për një parti të re, por për të bërë një cilësi të re në PS. Nëse disa mendojnë se janë pronarë të PS-së, ata janë pronarë të një karrigeje. Dështimet e PS-së kanë bërë që partia tjetër të rrijë gjatë në pushtet...Të mos merret, kontrollohet dhe keqpërdoret PS-ja”, - tha Malaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›