E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha premton certifikatat e pronësisë, si mjet për të fituar votat

Pas katër vitesh qeverisje me demagogji kryeministri i vendit kërkon vota nga zonat informale
Synimi i tij për një mandat të dytë kryeministri, e ka shndërruar kreun aktual të qeverisë njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha që të përdorë lloj e lloj mënyrash e marifetesh, për të marrë sërish votën e shqiptarëve. Pas manipulimeve me kartat e identitetit nëpërmjet administratës së tij, Berisha tashmë ka nisur premtimet kundrejt shqiptarëve për pajisjen e tyre me certifikatat e pronësisë, ndonëse legalizimet i premtoi edhe 4 vite më parë. Meqenëse po afrohet data e zgjedhjeve, me qëllimin e vetëm për të fituar sa më shumë vota, Sali Berisha me oborrtarët e tij të ngushtë, po u shkojnë derë më derë shqiptarëve ku janë e ku sjanë, duke u injektuar mashtrimin e madh të radhës se do tu japë certifikatat e pronësisë. Ndërkohë që kjo qeveri pati në dispozicion plot 4 vite dhe nuk arriti të japë edhe një certifikatë pronësie të vetme, zgjodhi pikërisht fushatën zgjedhore për të lançuar këtë proces, i cili nuk dihet se si e se kur do të nisë ekzaktësisht. Madje, për ta bërë sa më të besueshëm këtë mashtrim qesharak, para disa ditësh kryeministri bëri edhe një zhurmë nën moton e shpërndarjes së certifikatave të para të pronësisë në Tiranë, ndonëse vetëm një certifikatë u dha, ndërkohë edhe ajo u cilësua më pas jo e rregullt, sepse mësohet se dokumenti nuk mund ta vërtetojë ligjërisht se prona është e qytetarit. Megjithatë, me marrjen e këtyre certifikatave për motive elektorale, qytetarët do të ngatërrohen më keq, pasi certifikata jep të drejtën e shitjes së pasurisë apo përdorimin si kolateral në marrjen e një kredie në çdo bankë që operon në vend. Pikërisht, në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit, Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të shtyrë nga qeveria Berisha, u bëjnë thirrje qytetarëve të paraqesin kërkesën për të marrë certifikatën e pronësisë brenda 15 ditëve. Nën trysninë e etheve për pushtet dhe frikës për humbjen e zgjedhjeve, Berisha po përdor të gjitha mënyrat për ti gënjyer edhe një herë shqiptarët, duke i goditur ato në pikët më të dobët, pra legalizimin e pronës së tyre. Ashtu siç veproi para 4 vitesh, edhe këtë radhë nëpërmjet Shaban Memisë, Berisha po shkon të gjitha zonat informate të vendit, duke i bindur banorët se tashmë ka ardhur koha që tu legalizojnë pronat dhe banesat. Për të arritur këtë qëllim, pra për të mashtruar edhe një herë shqiptarët, Berisha po përdor si instrumente të tij punonjësit e administratës vendore, Shaban Meminë, Neritan Cekën, Fatmir Mediun etj., që me çdo kusht ta bëjnë sa më reale këtë demagogji. Strategjia e re e Berishës duket se vjen në këto ditë teksa mbaron afati i aplikimit për kartat njëkohëisht dhe strategjia e tij në blerjen e kuponëve falas për mbështetësit e tij duke manipuluar zgjedhjet. Berisha rreket ti marrë votat duke bërë premtime të ribëra disa herë. Në mbështetje të premtimit të Berishës, siç duket janë porositur të gjithë drejtorët e ALUIZNI-t në rrethe, sidomos në Elbasan, Kukës dhe Vlorë, që të tu premtojnë pronarëve certifikatat e pronësisë brenda pak kohësh. Gjithmonë, sipas tyre, gjithçka do të jetë gati dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër, pronarët e legalizuar do të pajisen me certifikatat përkatëse të pronësisë. Më konkretisht, Memia në prag fushate premton se brenda një kohe të shkurtër, do të shpërndahen 200 mijë certifikata pronësie në zonat informate. Mashtrimi i Memisë i përdorur nga Berisha nuk ndalet me kaq, pasi ai pretendon se procesi i legalizimit do të ecë paralel edhe me procesin e kompensimit të pronarëve të vjetër, të cilëve u është zënë toka. Lidhur me këtë proces, Memia u shpreh se numri i pronarëve që do të dëmshpërblehen për tokën e zënë shkon deri tani në 120. Ndërsa, drejtori i ALUIZNI ka bërë të ditur se vetëm brenda një muaj janë grumbulluar më shumë se 120 milionë lekë të reja që do të përdoren për procesin e kompensimit të pronarëve të mëparshëm. Pra, deri këtu arrin mashtrimi i qeverisë Berisha për të marrë votat, pa e vrarë mendjen se legalizimet dhe dëmshpërblimi i ish- pronarëve kanë qenë dy premtime për të cilët fitoi në 2005. Një arsye tjetër se pse Berisha zgjedh zonat informate për të nisur shpërndarjen e certifikatave të para, është se në ato zona nuk ka shumë probleme me pronën, pra nuk shumë pretendent për të njëjtën tokë. Legalizimi i pasurive të luajtshme është kompleks në qytetet e mëdha, si në Tiranë dhe në zonat bregdetare, ku ende nuk është shpërndarë asnjë certifikatë. Megjithatë, mashtrimi i qytetarëve nga Berisha sa për të marrë edhe një mandat, tani nuk çudit askënd, pasi ai ka eksperiencë në këtë drejtim, duke përdorur gjithmonë të njëjtën strategji, ashtu siç bëri me liberalizimin e vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›