Islami: Mbi 10% e shtetasve s'do të votojnë
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, paralajmëron se zgjedhjet po rrezikohen
"Në listë rezulton se Shqype Hasibja, 159-vjeçe, nga Shkallnuri, është prezente për të votuar"
TIRANË- Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, ka lëshuar alarmin "SOS" lidhur me pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Islami e ka përshkruar situatën krejtësisht kaotike me shpërndarjen e letërnjoftimeve, për të gjithë ata që kanë aplikuar.
Konkretisht, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, ka deklaruar se shifrat që jep Ministria e Brendshme janë të pakuptimta dhe nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet në Shqipëri.
Duke iu referuar shifrës së deklaruar dy ditë më parë nga zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone për aplikimin e 1.3 milionë qytetarëve, Islami ka theksuar se qeveria më këtë deklaratë nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të japë shifrën sesa votues pa pasaportë kanë marrë në dorë letërnjoftimin.
"Numri i votuesve pa pasaportë që nuk do të kenë në dorë letërnjoftimin, pra që nuk do të kenë mundësi të votojnë, do të jetë shumë më i lartë se 10 për qind. Shifrat që jep Ministria e Brendshme janë të pakuptimta dhe nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet në Shqipëri.
Nuk është e rëndësishme se paskan aplikuar rreth 1.3 milionë, kur qeveria nuk është në gjendje, apo nuk dëshiron të japë shifrën sesa votues pa pasaportë kanë marrë në dorë letërnjoftimin dhe këtë shifër nuk e ka dhënë asnjëherë.
Nuk ka asnjë rëndësi shifra prej 1.3 milionë aplikimesh, kur emrat në të katër CD-të e dërguara nga Ministria e Brendshme, nuk merret vesh nëse kanë aplikuar apo nuk kanë aplikuar, gjë që do ta zgjidhë Prokuroria e Përgjithshme", - tha dje Islami.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore shtoi se, shifra prej 1.3 milionë shtetasish, që kanë aplikuar, nuk ka asnjë vlerë kur Ministria e Brendshme nuk është në gjendje të thotë nga lista përfundimtare e zgjedhësve, cilët emra janë me pasaportë, cilët janë me letërnjoftim dhe cilët janë as me pasaportë dhe as me letërnjoftim.
"Por, shqetësuese këto ditë është bashkëpunimi i dyshimtë i qeverisë me kompaninë koncensionare "Aleat".
Askush nuk e kupton përse "Aleat" nuk publikon tek dera e zyrës së aplikimit emrat e të gjithë atyre që u ka ardhur letërnjoftimi, që të mos sorollaten",- shtoi ai. Islami theksoi se situata mbetet e paqartë, e pashpresë dhe me një mundësi të madhe manipulimi selektiv nëpërmjet letërnjoftimeve.
"Por, kësaj do t'i shtoja sot edhe diçka qesharake me listat e votuesve. Në listat e votuesve rezulton se Shqype Hasibja, 159-vjeçe, nga Shkallnuri, në komunën Rrushbull të Durrësit, është prezente për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. A e kuptoni të dashur shqiptarë se çfarë manipulimesh banale bëhen me teknologjinë më moderne.
Pra, me listën e përqendruar dhe të kompjuterizuar dhe me softe austriake, Shqype Hasibja vazhdon të mbetet në listën e votuesve dhe ky është një rast tjetër, që ul në mënyrë të paimagjinueshme besimin e shqiptarëve te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Këtu janë mbi 17 mijë shqiptarë, gati sa dy mandate deputetësh, me moshë mbi 90-vjeç deri te mosha e Shqypes 159-vjeç. Mbi 5 mijë votues me moshë mbi 100-vjeç dhe rreth 3300 votues me moshë mbi 110-vjeç.
Pra, a e kuptoni që lista përfundimtare nuk është pastruar, megjithëse është e kompjuterizuar, megjithëse pretendohet dhe u thuhet, qoftë shqiptarëve, qoftë përfaqësuesve ndërkombëtarë, që kemi përdorur një teknologji moderne, se është hera e parë që përdoret një teknologji e tillë që s'e ka asnjë vend tjetër i Europës", - tha ai, duke shtuar se kjo qeveri degjeneroi edhe teknologjitë moderne.
Të dhënat mbi listën e të vdekurve
Mbi 17 mijë shqiptarë janë mbi moshën 90-vjeç
Mbi 5 mijë votues, me moshë mbi 100-vjeç
Rreth 3300 votues, me moshë mbi 110-vjeç