E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suor Angelica nën interpretimin e zërave të rinj

Një prej akteve nga Triptiku i Puçinit vjen në Akademinë e Arteve
Janë artistë të rinj, të cilët nesër shpresojnë që të jenë ndër më të mirët në fushën e artit operistik në vendin tonë. Kjo është ajo që duan të arrijnë studentët e Akademisë së Arteve, të cilët në datat 9 dhe 10 qershor vunë në skenën e shkollës së tyre një prej akteve të operës së Puçinit, Triptik. Suor Angelica është pjesa që u interpretua nga studentë të vitit të tretë dhe të katërt të Akademisë nën regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe dirigjimin e Dritan Lumshi. E interpretuar nga studentet e arteve kjo vepër erdhi për të dytën herë pas shfaqjes së saj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit disa muaj më parë. Ajo që e karakterizon shfaqjen e studenteve, duke e dalluar kështu edhe nga pjesa e mëparshme në TKOB, është përfaqësimi i të gjitha personazheve pjesëmarrëse vetëm nga zërat femërorë. Personazhet Suor Angelica i luajtën studentët Alikejda Qirko, Ardita Meni, Lira Milla, ndërsa rolin e Xia Principesha u interpretua nga Klodiana Laze. Të katër vajzat kanë luajtur edhe në shfaqjen Orfeu dhe Euridice në semestrin e tyre të parë të këtij viti. Sa i përket operës Suor Angelica (Motër Anxhelika) ajo është subjekti i parë origjinal i kompozuar nga Puçini. Në dramën e vajzës së re, të detyruar të bëjë jetën e murgeshës sepse kishte një fëmijë jashtë martese, ishin të gjitha elementet për të zbuluar frymëzimin poetik ndaj zotit. Dy veprat e Forcanos përfunduan në një kohë rekord dhe me gjithë kompozimin e tyre po aq të shpejtë, Puçini i thelloi veçoritë e ambientit, karakteristikat e personazheve dhe të skenës. Regjisori Nikolin Gurakuqi u shpreh se në këtë vepër studentët dhanë maksimumin e tyre, dhe këtë herë pas veprës e cila u vu disa kohë më parë Orfeu dhe Euridice. Ata punuan shumë për këtë vepër dhe dua të them se ajo vjen pas disa veprave të tjera që ne kemi vënë me studentët e arteve. Në këtë vepër morën pjesë studentët e vitit të tretë dhe të katërt të Akademisë së Arteve. Dua të falënderoj dhe drejtorin e TKOB Zhani Cikon, i cili na ka ndihmuar shumë me materialet e nevojshme që duheshin për veprën operistike. Gjatë këtij viti shkollor ne kemi vënë me studentët edhe dy vepra të tjera, dhe për mua kjo është një sukses, sepse vihen tre opera në skenën e Akademisë nga studentët, gjë e cila nuk ka ndodhur më parë, tregon regjisori Gurakuqi. Ndërkohë që vetëm disa kohë më parë studentet e Akademisë së Arteve po nën drejtimin e regjisorit Nikolin Gurakuqi sollën në skenën shqiptare kompozitorin Gluck me operan Orfeo dhe Euridice. Regjisori, u  rikthye në skenën e Akademisë se Arteve pas katër vjetësh ku vuri në skenë Dasmën e Figaros e tregon këtë eksperiencë si mjaft vitale, sepse punon me të rinjtë që kanë ambicie dhe përgjegjësi për të dalë në skenë megjithëse kushtet që ofron akademia lënë shumë për të dëshiruar. Gluck konsiderohet kompozitori që reformoi tërësisht repertorin muzikor nga klishetë tradicionale ndaj dhe konceptimi i veprës në skenën shqiptare ishte mjaft kontemporan. Orfeo dhe Euridice u realizua po nga studentë të vitit të tretë dhe të katërt të kantos. Ndërkohë që premiera Triptiku e Xhakomo Puçinit, që përmban brenda saj tri operat, Kapota, Motër Anxhelika dhe Xhani Skiki, u ngjit 7 dhjetor të vitit 2008 si premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Libreti i kësaj opere i përket Xhovaçino Forcanos, skenografia Platon Bardhit, dhe regjia erdhi po nga regjisori Nikolin Gurakuqit dhe kostumet nga Fondacioni i Teatrit Lirik Xh. Verdi. Mjeshtri që dirigjoji orkestrën kësaj here ishte një femër italiane dhe për më tepër, emër premtues në fushën e saj, siç shprehet dhe kritika e huaj mbi mjeshtër-koncertuesen Xhana Frati. Ndër artistët që interpretuan në rolet kryesore të Triptikut ishin Etleva Golemi, Mariana Leka, Armando Kllogjeri, Sonila Baboçi, Irini Nikolla, Sidrit Bejleri, Shpresa Beka, Erjona Gjyzeli, Erlind Zeraliu etj.Prezantimi i parë i Triptikut të Puçinit është bërë në Operan Metropolitane të Nju Jorkut më 14 dhjetor 1918, ndërkohë që ishte parashikuar të kryhej në teatrin Kostanci të Romës. Vetë Puçini nuk mundi që të ishte i pranishëm në shfaqjen e premierës në Nju Jork për shkak të situatës të tensionuar ndërkombëtare. Vetëm më 11 janar 1919 u bë e mundur që nën drejtimin e Xhino Marinuzit, një grup artistësh profesionistë të realizonin vënien në skenën romane të Motër Anxhelikës, duke e rehabilituar veprën nga kritika dërrmuese amerikane. Gjithashtu, sukses pati edhe opera tjetër e Triptikut, e titullar Xhani Skiki, ndërsa Manteli u kritikua ashpër për tejkalimin e së vërtetës në subjekt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›