Berisha: 1200 votat dhe mandati i vjedhur i Lezhës, simboli i shëmtuar i 23 qershorit!
Kryeministri Sali Berisha reagon në faqen e tij zyrtare në Facebook, duke deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit mbetet fund e krye i manipuluar dhe ilegjitim, sa kohë po pengohet transparenca e procesit elektoral
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit mbetet fundekrye i manipuluar. Nëpërmjet një reagimi në Facebook, pas tërheqjes së kërkesës për rivotim nga Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës, kreu i qeverisë tha se, përsëritja e zgjedhjeve do te sillte ndëshkimin e tij shembullor nga lezhjanet për vjedhjen e votës me 23 qershor, dhe do hapte rrugën për përsëritjen e tyre ne Shkodër, ku janë vjedhur rreth 700 vota dhe ne qarqe te tjera. Sipas kryeministrit Berisha, hetimi dhe transparenca e zgjedhjeve aty ku janë përdorur krimi dhe paratë e pista janë vendimtare për stabilitetin e vendit. Mesazhi i plotë “Të dashur miq, Edi Rama sot pranoi botërisht se ka vjedhur 1250 vota në Lezhë. Ai papritmas tërhoqi kërkesën e paraqitur në gjykatë për përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës, pasi u gjet se në 14 kuti të këtij qarku kishte vjedhur me dhunë, terror dhe para droge, 1250 vota dhe natyrisht me përsëritjen e zgjedhjeve, indirekt, u kërkohej ndjesë qytetarëve të Lezhës. Natyrisht, tërheqjen ai e bëri vetëm e vetëm se përsëritja e zgjedhjeve do të sillte ndëshkimin e tij shembullor nga lezhianët për vjedhjen e votës më 23 Qershor dhe do hapte rrugën për përsëritjen e tyre në Shkodër, ku janë vjedhur rreth 700 vota dhe në qarqe të tjera. Por pavarësisht nga kjo tërheqje, zgjedhjet e 23 Qershorit, rezultati i tyre, mbeten fund e krye të manipuluara. Hetimi dhe transparenca e zgjedhjeve aty ku janë përdorur krimi dhe paratë e pista, janë vendimtare për stabilitetin e vendit. Përpara për votën e lirë të shqiptarëve! Sb”, shkruan Berisha në “Facebook”.