E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i trembet të vërtetës së kutive

30-07-2013 / Gazeta 55

Me korrjen e votave të parapaguara prej klaneve të trafikut, Edi Rama po kërkon ta quajë të mbyllur historinë e 23 qershorit, dhe dje ka tërhequr kërkesën për hetimin e qarkut të Lezhës. Vjedhja e 1300 votave është veç zanafilla e një sjelljeje anti-votë që ka sjellë fitoren e një klani financiar që mori pamjen e një liste kandidatësh të PS-së. Rama i trembet të vërtetës së kutive, pasi transparenca do t’i shkurtonte ditët një mazhorance imorale dhe të pamerituar

Transparenca e kutive të votimit të bëra nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka irrituar më së shumti Partinë Socialiste, të cilës iu kapën në flagrancë 1250 vota të vjedhura në qarkun e Lezhës dhe 700 vota në qarkun e Shkodrës. Në të dyja rastet Partia Socialiste që bëri për katër vjet një “betejë” për transparencën zgjedhore bëri gjithçka që KQZ-ja të ndalonte rinumërimin e kutive të qarkut Lezhë dhe qarkut Shkodër, në të cilat kish pasur ankimime nga partitë politike. Edi Rama në fillim dha urdhër të ankoheshin në Kolegjin Zgjedhor dhe më pas në të dyja rastet të tërhiqej padija. Kjo behej me synimit për të zhurmuar të vërtetën e dalë nga kutitë e votimit, në të cilën është bërë një kërdi blerje me pare në dorë. Kjo konfirmohet edhe nga deklarata e fundit e Skënder Gjinushit që fituan ata që kishin para. Fakti që Gjinushi nuk kishte para tregon që nuk doli deputetet dhe deputet dolën 20 miliarderët e PS që tunduan komisionerë majtas dhe djathtas për të firmosur procesverbale false. Padyshim hapja  e kutive të votimit në Lezhë dhe Shkodër zbuloi sesi mund të manipulohen zgjedhjet dhe kjo jo domosdoshmërish nga qeveria por nga njerëz të opozitës që punojnë sipas parimit stalinist, “nuk ka rëndësi si votohet, por se si numërohen votat”.
Megjithatë paradoksi më i madh i këtyre zgjedhjeve mbetet fakti i trembjes së Edi Ramës nga e vërteta e kutive. Nëse merr një fjalim të datës 5 qershor 2010, e cila gjendet në faqen zyrtare të PS (http://www.ps.al/te-reja/nis-turi-hap-kutite-liro-vizat-cliro-ekonomine-05-06-2010/); Edi Rama niste turin e hapjes së kutive, “Hap Kutitë, Liro Vizat, Çliro ekonominë”, me dy takime një në Berat dhe tjetra në Durrës.
Në fjalimin e Beratit Edi Rama do të thoshte se nuk hapen kutitë “ Sepse  nuk ka asnjë shpjegim tjetër kjo frikë e madhe nga e vërteta e kutive të mbyllura. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër refuzimi për ti hapur kutitë e për të bërë transparencën e atyre zgjedhjeve në sytë e të gjithë publikut. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër që njeriu që i thotë vetes fitimtarë e ka të pamundur të tregojë trofeun e betejës së tij, sepse në fakt në ato kuti nuk gjendet trofeu i betejës, por gjendjet krimi i tjetërsimit të rezultatit të betejës”.
Ndërsa më vonë në Durrës do të shqiptonte se, “Është i vetmi fitues që i trembet të vërtetës të rezultatit që e ka nxjerrë fitues. Është i vetmi fitues që i trembet si djalli temjanit, rrugës nga ka ardhur për tu shpallur fitues dhe që nuk ka kurajon që të dalë përpara popullit të vetë, e pa asnjë kompleks, e pa asnjë ndroje të dalë e të thotë: Ja ku janë rrënjët e fitores sime. Sepse në fakt në ato kuti nuk janë rrënjët e fitores së tij...po janë rrënjët e një të keqeje që shtrihet në të gjithë jetën shoqërore shqiptare, në të gjithë aspektet e demokracisë së kërcënuar shqiptare, në të gjithë rrugët ku qytetari i thjeshtë shqiptar do të duhet të ballafaqohet me shtetin”.
Këto fjalë fare mirë mund të shqiptoheshin nga kryeministri Berisha sot për Edi Ramën. Përkundër  Edi Ramës, kryeministri Berisha ka prova dhe fakte, të cilat Edi Rama nuk i kishte në 2009. Provat dhe faktet dolën nga kutitë që u hapën me një procedurë ligjore, ku dukej me sy që kishte parregullsi në procesverbale në Lezhë dhe pas animimit të rezultatit në Shkodër u zbulua vjedhja e votës. Edi Rama i fshihet si djalli ujit të shenjtë në rastin e hapjes së kutive.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›