E Diel, 1 Nëntor 2026

VATRA: “Basha, ju do ta çoni përpara PD, për të mirën e Shqipërisë Europiane”

30-07-2013 / Gazeta 55

Në Urimin e Federatës PanShqiptare të Amerikës “Vatra” për kryetarin e PD, Lulzim Basha shprehet shpresa se nën lidershipin e ri, Partia Demokratike do të tregojë më shumë kujdes për ish-të persekutuarit, për ish-pronarët dhe për figurat kombëtare padrejtësisht të damkosura nga regjimi komunist dhe kështu do të rrisë elektoratin, duke u rikthyer shpejt në pushtet
 
“Vatra” ka uruar Lulzim Bashën për zgjedhjen e tij në krye të Partisë Demokratike. Nëpërmjet një mesazhi publik, kryetari i Federatës Panshqiptare e Amerikës VATRA, Gjon Buçaj ka çmuar personalitetin e kryetarit të ri të PD. “Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ka nderin t’ju urojë përzemërsisht zgjedhjen tuaj në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë”, nis mesazhi i VATRA. Më pas, vijon mesazhi i kryetarit Gjon Buçaj, “duke parë në personalitetin tuaj një udhëheqës me vizion e shpirt demokratik, ne besojmë se ju do ta çoni përpara Partinë Demokratike për të mirën e Shqipërisë Europiane, si një oponente të fuqishme opozitare për të mirën e demokracisë së brishtë dhe për ta rikthyer atë në udhëheqje të Shqipërisë, më të fortë e më të demokratizuar. Shërbimi juaj në detyra të ndryshme publike është histori suksesesh. Ju keni firmosur me kontributin tuaj në arritjet kryesore të qeverisjes së Partisë Demokratike: në ndërtimin e Rrugës së Kombit, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në realizimin e premtimit elektoral të Qeverisë Demokratike për heqjen e vizave dhe, në fund, në garën elektorale që ju çoi në krye të bashkisë së kryeqytetit”. Sipas tij,  Vatranët, sikurse ish të përndjekurit antikomunistë në Shqipëri, e kanë mbështetur Partinë Demokratike dhe dr. Berishën në krye të saj, që në fillim, si alternativë kundër partisë komuniste me emër të ndërruar në socialiste, për realizimin e integrimeve euroatlantike dhe të reformave demokratike. “Kur ka qenë nevoja, kemi vënë në dukje mungesën dhe kemi inkurajuar realizimin e integrimit të të përndjekurve politikë, kthimin e pronave, dekomunistizimin real të shoqërisë shqiptare, hapjen e dosjeve të diktaturës etj. Nën drejtimin e dr. Berishës Shqipëria ka realizuar arritje historike, u anëtarësua në NATO dhe është në pragun e hyrjes në Europë, ndërkohë që vendi ka bërë ndryshime të mëdha, veçanërisht në infrastrukturë. Edhe pse Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e 23 qershorit, Berisha korri një fitore morale me aktin qytetar e demokratik, duke pranuar rezultatin e votimeve dhe duke dhënë dorëheqje, për ndryshim nga rivali socialist që, në rastin e humbjes, do të përsëriste skenarin e 2009-ës me pasoja të dëmshme për vendin.
Ne vatranët shpresojmë se nën drejtimin tuaj Partia Demokratike do të tregojë më shumë kujdes për ish të persekutuari, për ish pronarët dhe për figurat kombëtare padrejtësisht të damkosura nga regjimi komunist dhe kështu të rrisë elektoratin që të rikthehet në pushtet dhe të japë kontribut të mëtejshëm në kapërcimin e tranzicionit të zgjatur shqiptar, duke shkëputur shoqërinë shqiptare nga trashëgimia e diktaturës së kaluar”, thuhet në mesazhin e tij. Në fund të mesazhit të tij, kryetari i Vatrës Gjon Buçaj i uroi suksese zotit Basha në drejtimin e Partisë Demokratike në shërbim të Shqipërisë. Kreu i Partisë Demokratike nis takimet e para më ndërkombëtarët
Basha, sot takim me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi/ Lulzim Basha në cilësinë e kreut të ri të Partisë Demokratike pritet të takohet me ambasadorin e Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi.  Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike. Nëpërmjet një njoftimi për media, mësohet se takimi do të zhvillohet sot në orën 11:00. “Nesër, e martë, 30 korrik 2013, ora 11.00, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvillon takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi”, thuhet në njoftim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›