Berisha: 15 dhjetori, dita e dinjitetit të shqiptarëve
Kryeministri Berisha deklaroi se data 15 dhjetor kur hyn në fuqi edhe vendimi për të lëvizur lirshëm në vendet e zonës Shengen do të jetë dita e dinjitetit intelektual të shqiptarëve.
Duke folur në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike kryeministri Berisha theksoi se liberalizimi i vizave u bë e mundur si pasojë e përpjekjeve më serioze dhe reformat më të suksesshme që sipas tij shembën çdo lloj paragjykimi.
“Simbolika e datës 15 hyn në historinë dhe jetën e gjithë secilit si një nga datat më të shënuara krahas datave më të shënuara që ka njeriu” theksoi Berisha.
Ai gjithashtu akuzoi sërish kreun e Partisë Socialiste Edi Rama se ka bërë çdo përpjekje për të penguar liberalizimin e vizave për të shqiptarët dhe për t`i mbyllur vizat në kuti.
“Rama dështoi në përpjekje për të penguar vizat, pasi në 15 dhjetor shqiptarët do të lëvizin lirshëm” theksoi Berisha duke shtuar se qeveria i garanton vendet Shengen se do të bëjë çdo përpjekje për të penguar abuzimin me vizat.
Ai gjithashtu u shpreh optimist se shqiptarët me dinjitetin më të madh do të qëndrojnë përpara këtij vendimi dhe në mënyrën më të qytetëruar do të sillen ndaj tij pa i lejuar vetes as edhe abuzimin më të vogël.