Moisiu: Mehmet Shehu ishte kryeministri më i mirë që kemi pasur,nuk vjen më një i tillë
Alfred Moisiu, ish-president i vendit, në një intervistë të gjatë për emisionin “Antinomi” të gazetarit Mentor Nazarko, që transmetohet në “Tv Koha”, për herë të parë bën publike marrëdhëniet e tij me krerët komunistë shqiptarë, Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, gjatë viteve kur punonte si zv/ministër i Mbrojtjes. Po kështu, për herë të parë Alfred Moisiu zbardh të plotë për publikun të vërtetën e fabrikimit të qindra-mijëra bunkerëve, një ndërmarrje të cilën ai e ka drejtuar që nga ideimi deri në ditën e fundit të realizimit.
Mentor Nazarko
Nazarko: Më 1974 ishte viti i goditjes së grupit të
quajtur puçist ushtarak. Në çfarë pozicioni ishit, kishit miqësi me ndonjë nga të goditurit?
Mosisu: Isha drejtor i xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes në atë kohë.
Nazarko: Dhe çfarë roli kishit juve, kishit miqësi me ndonjërin nga të ashtuquajturit protagonist?
Moisiu: Po sigurisht, ishim në marrëdhënie pune, sepse ishim shumë drejtorë. Edhe për të ushtruar detyrën je i detyruar të futesh në bashkëpunim.
Nazarko: Po Beqiri ishte ministër atëherë...
Moisiu: Po, Beqir Balluku ishte Ministër i Mbrojtjes, Gjeneral Petrit Dume ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm në atë kohë,
Nazarko: çfarë raportesh kishit me këta, cilët vlerësonit më shumë, profesionalisht, apo njerëzisht, në planin njerëzor?
Moisiu: Nuk e di tashti, ministri Balluku, nuk para më afronte shumë me thënë të drejtën, ndërsa Petrit Dumja më afronte më tepër edhe i dëgjonte më me kujdes mendimet e propozimet e mia. Unë kam pasur disa përplasje..
Nazarko: Ka pasur ndonjë reminishencë për shkak të babait apo...
Moisiu: Nuk mund ta them për Beqirin, por për Mehmetin po, ka pasur përplasje që gjatë luftës me tim atë, dhe ato u reflektuan në fillim, se më vonë duke më parë edhe në punë, edhe ai e ndryshoi opinionin ndaj meje, por në fillim e vija re e kishte gati të hapur që mezi më pranonte. Kurse Petrit Dujma ishte tjetër njeri, e vlerësonte aftësinë e njerëzve, sigurisht mosha ime në atë kohë s’ishte moshë e re, kur u bëra drejtor isha 41 vjeç, por drejtorët e tjerë ishin mbi 50 vjeç të tërë. Kishin qenë gjatë luftës komandantë brigadash, komandantë batalionesh dhe më shikonin kështu nga lart-poshtë, ç’është ky çunak që na ka ardhur. 41 vjeç, ë, kurse sot...
Nazarko: Megjithatë, mbiemri peshonte..
Moisiu:... sot 30 vjeç bëhen ministra, të tjerët thonë pse s’u bëra unë, 30-vjeçari tjetër. Edhe unë këtë e quaj një gabim shumë të madh të periudhës së tranzicionit në vendin tonë. Sepse ne nuk jemi në revolucion, revolucione nuk mund të ketë gjithmonë...
Nazarko: Pra juve në këtë eksperiencë si drejtor i xhenios keni pasur kontakte të afërta me atë që u quajtën protagonistë të puçit, por edhe me Mehmet Shehun?
Moisiu: Jo, me Mehmet Shehun më vonë, mbas puçit, ai pastaj erdhi Ministër Mbrojtjeje. Por ne na bëri përshtypje kur thanë se Beqir Balluku me Petrit Dumen dhe Hito çakon donin të bënin puç. Për dy arsye të mëdha. E para, Beqir Balluku me Petrit Dumen asnjëherë nuk kanë shkuar mirë, dhe ketë e them jo vetëm unë, por të tërë ne që ishim aty afër, se shikonim në mendime në veprime, në kontradikta që lindnin, do më thanë ishte një gjë që dukej. Kur dy njerëz bashkëpunojnë, bashkëpunojnë në të gjitha drejtimet. E dyta, të bësh puç ushtarak nuk mund ta bësh i vetëm, qoftë edhe ministër, qoftë edhe shef shtabi. Duhet të kesh, të paktën disa nga drejtorët duhet t’i kesh me vete. Disa nga komandantët duhet t’i kesh me vete. Prandaj edhe në fillim, këto kohët e fundit kanë filluar të botohen shumë gjëra, por ka shumë shtrembërime me thënë të drejtën, po të shikosh në fillim u godit Beqir Balluku, Gjeneral Ernest Serkova, Gjeneral Spiro Shalësi dhe Gjeneral Rrahman Parllaku. Ndërsa Petrit Dumen dhe Hito çakon i ngritën në përgjegjësi.
Nazarko: Mund të quhet një fitore e grupit të Mehmet Shehut?
Moisiu: Madje u quajt si hero, që e zbuloi këtë puç kundër partisë. Në fakt kjo u bë për dy arsye, e para për t’i vënë edhe në gjumë këta, edhe e dyta, se filluan njerëzit të mendonin e të flisnin: si ka mundësi, pse Beqiri e bëri vetëm këtë punë? Atëherë i duhej dhënë edhe pjesës tjetër. Edhe u godit Patrit Dumja, Hito çakua dhe gjithë një grup i madh gjeneralësh u pushkatuan, u burgosën u internuan.
Nazarko: Praktikisht e gjithë ajo pjesë e ushtarakëve aktivë, të cilët kishin qenë edhe në luftë, apo jo?
Moisiu: Për mendimin tim, edhe në librin që po shkruaj e kam shprehur këtë, një nga arsyet ka qenë se Enveri po mendonte për pas Enverin. Dhe këta, që të gjithë këta gjeneralët, ishin njerëz me influencë. Për shembull, Petrit Dumja dhe Muhamet Prodani ishin njerëz me influencë, mbi sekretarin e partisë dhe... Sepse populli i dëgjonte, i ndiqte, sepse e kishin krijuar këtë emër që në kohë të luftës. Po kështu Nexhip Vinçani, në Korçë, fjala vjen. Pra të gjithë këta ishin njerëz me influencë të madhe që gjatë luftës. Dhe këta ishin një potencial i fjetur dhe në rast të një situate këta mund të bëheshin të rrezikshëm, sipas mendimit... unë nuk e besoj kurrë këtë punë, të kenë pasur ndonjë mendje, sepse do të ishin shfaqur të paktën, në biseda me neve. Kontradikta për punën kemi pasur, dhe kontradikta kush është më i madh, unë apo ti, ne shqiptarët i kemi një çik të zhvilluara këto. Por gjëra të tilla, të organizuara, siç u paraqit një fantazi e çuditshme, ne kur i dëgjonim të them të drejtën habiteshim, se nuk i besonim, por atëherë për të biseduar me njëri-tjetrin ishte shumë e vështirë, mund të bisedoje vetëm me ndonjë shok që ishte shumë i ngushtë, mund t’i thoshe ndonjë llaf “ç’është kjo që po ndodh?”, se më tej nuk guxonte njeri.
Nazarko: S’dua të heq kureshtjen për pjesë të librit, por thjesht ta ngacmojmë kureshtjen. Nga 1974, deri në 1981, ju keni punuar me Mehmet Shehun. Keni punuar në projektin e fortifikimit të vendit?
Moisiu: Po, po unë në 1975 kur u bë një riorganizim i Ministrisë së Mbrojtjes, dhe drejtoria e xhenios u nda në dy pjesë, drejtoria e fortifikimit dhe e xhenios dhe drejtor i përgjithshëm i xhenios u bë Menduh Backa... Sepse fortifikimi ishte një nga pikat që u godit Beqir Balluku. Pikërisht në atë kohë, më 1967, dolën tezat e artit ushtarak popullor dhe themeli i saj ishte kjo strategjia që neve shoqëria shqiptare, ushtria shqiptare në tërësi, duhet të bëhemi gati të përballemi edhe me Paktin e Varshavës, edhe me NATO-n dhe të fitojmë. Unë e kam quajtur një strategji të çmendur në fakt këtë, se është e pamundur. Sigurisht që ne mund të vazhdonim luftën duke u tërhequr në male, se u morën masa shumë për të vazhduar luftën partizane. Lufta popullore dihet, kemi marrë veçanërisht përvojën e Vietnamit, që u studiua me shumë hollësi atëherë, kjo mund të ndodhte por të mbaje zbarkimin në Durrës, ose zbarkim nga ajri, sigurisht që humbje mund t’i shkaktoje sepse ushtria shqiptare u armatos rëndë shumë, kishim mbi 1400-1500 tanke, ishim domethënë pas Jugosllavisë, fuqia më e madhe e blinduar në Ballkan. Kishim në dorë edhe artileri shumë të fuqishme, armatime, municionet ishin marrë nga Kina dhe ishin të mjaftueshme për një vit luftë, prandaj është edhe ky problemi që depot tona janë plot, ishin llogaritur për të bërë një vit luftë pa marrë asnjë furnizim. Por tani ka ca abuzime. Nuk mësohen që këto municionet janë të rrezikshme. Municionet asgjësohen sepse ne atë armatim që kishim, nuk e kemi më. Ka dalë jashtë përdorimit. Tanket u eliminuan, aviacioni u eliminua, artileria ngeli shumë e vogël, shumë pak, kurse atëherë ishte llogaritur për disa brigada artilerie....
Nazarko: Pra ju nga 1974 deri në 1981...
Moisiu: Në 1975 jam emëruar Drejtor i Fortifikimit dhe deri në 1981, që u emërova zv/ministër i Mbrojtjes, unë kam qenë në krye të fortifikimit. Sigurisht ne përgjigjeshim për anën teknike të problemit, strategjia jepej sigurisht nga Këshilli i Mbrojtjes, nga udhëheqja e atëhershme e partisë dhe e Qeverisë. Ne vetëm zbatonim. Në një rast të tillë na thërret neve Mehmet Shehu, mua dhe Menduh Backën. Na thotë se porosia e Komandantit – nënkuptonte Enver Hoxhën – është që të vendosen 500 qendra zjarri në rajon mbrojtje batalioni. Rajoni që kapte nga 6 deri në 12 kilometra. Mehmeti na tha bëni porosinë çfarë duhet. U larguam dhe u mblodhëm te zyra e Menduhut. Po bisedonim. I thashë: Po mirë mo Menduh, do bëjmë 500 qendra zjarri edhe atje ku shkojnë dhitë e s’mund të kalojnë? Kjo s’mund të jetë uniforme, si në bregdet ku mund të kalojnë tanke e mjete të blinduara, edhe atje ku mezi kalon dhia. Unë jam i mendimit t’i ndajmë në tre kategori, në drejtimin e bregdetit, që është i kalueshëm nga tanket, në drejtimin e kalueshëm me vështirësi dhe në drejtimin tepër të vështirë. Dhe të ulemi, këtu 500, atje 200, këtu 100. Diçka e tillë. Më thotë mua: Ore Alfred, do të na lësh kalamajtë rrugëve, apo si e ke hallin. Ata thonë kështu. Ata e kanë përgjegjësinë se si duhet bërë. Mirë mor, i thashë, por do thonë se çfarë janë këta budallenj që kanë përpunuar këtë. S’është punë budallai, më thotë, kjo është detyrë dhe ne duhet ta zbatojmë. Kisha konfidenca me Menduhun. E kuptonin njëri-tjetrin. Më në fund e bëmë me atë variantin që propozova unë. Mirëpo tri ditë nuk na zuri gjumi. Sepse mund të thoshin: Pse keni dalë kundër orientimeve të partisë? Kur ne themi kështu, ç’punë keni juve që thoni kështu. Atë e dimë ne. Ju keni detyrë teknike të zbatoni këto që themi ne. Dhe kur na thirri Ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Mehmet Shehu dhe tha: Jemi dakord, atëherë ne vajtëm në shtëpi të pinim nga një birrë. Ishte me përgjegjësi të madhe.
Nazarko: Nga ky moment duhet të kuptojmë një gjë se procesi i fortifikimit është një proces që e ka shënjuar zhvillimin e vendin në pikëpamje të kostove... Kush ishte ideatori i këtij procesi, ishte Enver Hoxha, apo Mehmet Shehu, apo të dy bashkë?
Moisiu: Tani se çfarë mendonte Enveri, unë nuk mund të di, nuk e them dot. Por ne na jepeshin këto nga Mehmeti, si porosi të tijat. Por për mendimin tim duhet të ishte Mehmeti, pasi ai goditi fort edhe Beqirin në këtë drejtim. Por ai ishte edhe njohës në këtë drejtim se edhe studionte. Ishte një njeri që studionte shumë. Mehmet Shehu ishte një njeri që zotëronte pesë gjuhë të huaja. Kishte një bibliotekë shumë të pasur në zyrë dhe atë nuk e gjeje asnjëherë pa libra në duar. Pra ai studionte. Por atëherë edhe ne studiuam për mënyrën e fortifikimit. Se detyra u vu, detyra politike. Tani zbërthimi teknik na takonte neve. Atëherë studiuam Vijën Mazhino, që është një më të njohurat e fortifikuara, Vijën Zigfrid, që ishte vija e fortifikuar gjermane, vijën Stalin, që ishte e rusëve, studiuam vijën Maneheim që është e holandezëve, studiuam edhe sistemin e fortifikimit që kanë bërë amerikanët në Vietnam dhe prej andej madje morëm edhe parafabrikatet, pra huazuam përvojën amerikane që fortifikimi ynë u kthye komplet në parafabrikat. Sepse ishte kaq masiv, saqë nuk mund të bëhej në vend, edhe cilësia nuk arrihej dot. Kërkoheshin marka betoni shumë të larta dhe kjo nuk mund të arrihej vetëm duke punuar në ndërmarrjet e ndërtimit, të cilat, me thënë të drejtën patën një hop cilësor në kuptimin e mekanizimit, cilësisë... Madje më kujtohet njëherë ishim në kontroll të këtyre qendrave të zjarrit, bunkerë që quhen në gjuhë popullore, dhe shikoj që po përgatitej betoni në mënyrë jo korrekte. U them: çfarë bëni? A drejtor më thonë, kjo nuk është e juaja, kjo tjetra është e juaja...
Kishte një kontroll shumë të rreptë mbi prodhimin e montimin. Tani shpesh mua më kanë pyetur. Se ç’është e drejta, u teprua me fortifikimet, u bë si garë, komandantët e reparteve nuk i frenonim dot. Donin secili kush të bënte dhe të raportonte më shumë. Erdhi puna, vërtet dëmtohej.
Nazarko: Sa i kushtoi vendit kjo, keni ndonjë përfytyrim?
Moisiu: Nuk kam...
Nazarko: Sa janë instaluar? Flitet për 600 mijë.
Moisiu: Janë jo 600 mijë, më pak janë, më pak. Shiko për këtë ka një evidentim shumë të saktë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë sepse u bë një numërim i qendrave të zjarrit, sepse edhe shtëpitë nuk i dinim ne sa ka pasur Shqipëria në këtë kohë, ndërsa qendrat e zjarrit i dinim. Ishin me numra, me dokumente me të gjitha. Ekzagjerohet kur thonë 800 mijë 1 milion. Ato nuk duhet t’i kalojnë 250 mijë. Kaq janë të gjitha objektet që janë ndërtuar në Luftën e Parë Botërore, në kohën e Zogut, në Luftën e Dytë Botërore dhe pas çlirimit të Shqipërisë. Pra është një ekzagjerim. Ishte viti 1999, shkurt, në rast se nuk gabohem. NATO bënte një seminar këtu në Tiranë. Dhe isha i ftuar unë. Isha kryetar i Shoqatës së Atlantikut. Seminari ishte për mbrojtjen civile. Ishte në prag të fillimit të luftës së Kosovës. Dhe një gjeneral italian me dy yje, në një pritje që dhanë ata, më thotë mua ç’keni bërë me gjithë këto fortifikime? I them Gjeneral, unë kam qenë drejtor i fortifikimeve. Ashtu?, thotë. Dhe ne i kemi bërë në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik harxhonin së bashku 720 miliardë dollarë në vit, pra i binte afërsisht 2 miliard dollarë në ditë. çfarë bënin? Bënin raketa, bënin nëndetëse bërthamore, armatime nga më të ndryshmet, të cilat tani po zbërthehen, po prishen. Shqipëria, i thashë, nuk bënte dot as avionë supersonikë, as raketa, asgjë. Ne bëmë këto. U teprua? Po, kjo është e vërtetë, i thashë. Por këto janë masa që merr çdo shtet. Ushtria shqiptare nuk mund të bënte një mbrojtje të manovrueshme, por një mbrojtje pozicionale aktive. Do me thënë duhet të kishim vendosur fortifikata... Kjo ishte strategjia e vendosur në këtë kohë dhe kjo strategji e kërkonte këtë fortifikim...
Nazarko: Cili konsiderohej si shtet në atë kohë, si rrezik më i madh, Italia, Greqia apo Jugosllavia?
Moisiu: E thashë, strategjia ishte, kemi dashur të mbrohemi nga Traktati i Varshavës dhe nga NATO-ja. Tani masat merreshin edhe nga bregu i detit, edhe nga Jugosllavia edhe nga Greqia, të njëllojta...
Nazarko: Këto qendra zjarri, ishin në funksion antibërthamor, apo antikonvencional?
Moisiu: Kishin funksion në radhë të parë kundër armëve konvencionale, por mbrojtja e trupës ishte llogaritur edhe në rast të përdorimit të armëve bërthamore...
Nazarko: Një pjesë e këtij angazhimi fortifikues kanë qenë edhe ngritjet e vendstrehimeve për udhëheqjen. A janë ngritur të tilla dhe ku? çfarë kushtesh plotësonin?
Moisiu: Janë ngritur për të gjitha fazat e luftës. Për luftën frontale dhe luftën partizane. Janë ngritur strehime duke filluar për komandën e përgjithshme, komandantët e korpuseve, divizioneve e kështu me radhë. U bë edhe një sallë Parlamenti në tunel.
Nazarko: Në çfarë vendi?
Moisiu: Këtu, në zonën e Babrrusë. është ajo. Duhet të jetë. Unë e kam parë. Në vitin 1992 e kam parë. Pra janë bërë objekte të tilla sa të duash. Shiko duhet të dish një gjë, që porsa i përket tunelizimit, edhe Suedia është... e ke një Stokholm mbi tokë dhe një nën tokë. Në kohën e luftës së ftohtë gjithmonë, se nuk bën më njëri nga këto gjëra. Edhe në Amerikë filluan në shtëpitë që bënin, në vilat, të bënin bodrume. Ishte një psikozë e përgjithshme e Luftës së Ftohtë.
Nazarko: Një personazh i rëndësishëm me të cilin keni bashkëpunuar ishte edhe Mehmet Shehu. Cila është përshtypja juaj për këtë figurë historike të Shqipërisë?
Moisiu: Unë u kam thënë kryeministrave me të cilët kam bashkëpunuar dhe të tjerëve se për mendimin tim, unë mund të jem i gabuar nuk e di, por këtë mendim e kam, që si organizator, si drejtues, qeveritar, unë nuk e di kur do t’i vijë një figurë e tillë. Nuk flas për anët e tjera, për anën kriminale e të tjera. Flas thjesht për anën organizative të tij dhe metodën e punës që kishte ky njeri. Si studionte, si punonte dhe si drejtonte. Ka qenë një figurë, për mendimin tim, shumë polivalente nga kjo anë. Dhe ai kishte metodë të tillë, siç na e ka treguar vetë. Natën thoshte, mbaj një bllok në komodinë. Natën më vjen një mendim dhe e mbaj shënim me stilolaps. Edhe në makinë nxirrte stilolapsin e mbante shënim. Ishte shumë sistematik, tepër sistematik dhe burrë i zgjuar. Dinte, siç thashë, pesë gjuhë të huaja, spanjisht, frëngjisht, anglisht, italisht dhe rusisht. Dhe gjithmonë atë e gjeje me libra në duar, edhe në kohë pushimesh...
Nazarko: A mund të thuhet që rivaliteti i tij me Enverin ishte rivaliteti i një njeriu të ekzekutivit, që i prekte gjërat me duar përditë me njeriun e partisë, që ishte Enveri i cili mund të kishte përfytyrime jo reale për atë që ndodhte?
Moisiu: Këtë konkluzion është e vështirë ta arrish. Ata nuk më hapeshin mua për probleme të tilla. Por unë kam një rast kështu tipik. Më thirri në zyrën e tij në ministri, për probleme të punës dhe midis të tjerave me tha: çfarë thonë ata matanë? Ata brenda komitetit Qendror. Thashë: Kanë probleme për maskimin, transhetë etj. Mos i dëgjo ata se nuk marrin vesh më tha.
Nazarko: Pra është ky dualiteti, qeveri-parti.
Moisiu: Ishte dualiteti, është e vërtetë. Por ai me Enverin ka qenë shumë korrekt dhe unë kam dëgjuar gjithmonë, fliste me konsideratë shumë të lartë. Nuk bënte gabime të tilla...
Nazarko: Pra ju nuk i besoni këto hipoteza se Mehmeti ishte njëri i amerikanëve, jugosllavëve, rusëve?
Moisiu: Tani nuk e di, por në vitin 1982, kur ne u shkarkuam. U shkarkua Kadri Hazbiu dhe pesë zv/ministra të Mbrojtjes. Ka qenë ora 9, ishim në zyrën e Menduhut që pinim kafe çdo mëngjes, njëherë te njëri, njëherë te tjetri dhe shkëmbenim mendime, ndonjë gjysmë ore. Maliq Sadushi, i ndjeri, sepse vdiq vjet, ishte anëtar i presidiumit. Unë atë ditë do shkoja, kishim lënë një takim me Ministrin e Ndërtimit Rrahman Hanku, në Kalivaç të Tepelenës. Aty parashikohej të ndërtohej një urë për këto hidrocentralet dhe do e ndërtonte ushtria. Projektin e bënte Ministria e Ndërtimit... Dhe kishim lënë takim për të shkuar bashkë. Them se do shkoja. Më thotë Maliqi, çfarë do bësh ti atje, është larg. I them: Po e kam lënë me ministrin. Jo, jo, tha, dërgo ndonjë tjetër. Dërgova një tjetër. Ai e dinte se qe shkarkuar Kadri Hazbiu, sepse kishte firmosur vendimin qarkullues që quhej si anëtar i Presidiumit. Por nuk dinte pjesën tjetër, se çdo bëhesh me neve. Kur shikojmë në orën 12:00 vijnë ca Benz-a të zinj atje. Në oborr të Ministrisë të Mbrojtjes. Rastësisht hodha sytë nga dritarja dhe pashë që makina ime kishte ikur, makina që përdorja unë. Na thirrën pastaj, në zyrë ishte Adil çarçani, Prokop Murra, që mua më njihte, dhe kur vajtëm ne, në krahun përballë ishin ulur disa ushtarakë. Komandantë korpusi, që ne i njihnim, por nuk e dinim se ata do të na zëvendësonin neve. Përballë tyre u ulëm neve që do të largoheshim dhe u lexua urdhri i Komandantit të Përgjithshëm për lirimet dhe na u dha gjysmë ore kohë për të dorëzuar detyrën. Shkova, për gjysmë ore çfarë mund të bëja, ato më kryesoret, i pranishëm ishte edhe marrësi në dorëzim. Pastaj ikëm në shtëpi. Nuk e dija se çfarë do të bëhej. Në hyrje të shtëpisë ku banoja unë, dhe banoj akoma, ka qenë një tabelë emulacioni që e përdorte fronti i lagjes. Ishte lagje me drita pa drita. Atë ditë e pashë se kishin vendosur një llambë pesëqindëshe. Ndriçonte tabelën dhe gjithë atë hyrjen e pallatit ku banoja unë. Në tarracën e pallatit përballë ishin dy njerëz që drejtonin, ndërsa në rrugë një makinë nga ato të degës. Nuk e di çfarë projekti kanë pasur, edhe arrestimi mund të ndodhte. Pas tre ditësh na thirrën dhe na komunikuan vendimin. Se deri në atë kohë ishim të shkarkuar nga detyra dhe të mbetur në dispozicion. Menduh Backën dhe të nderin Maliq Sadushi i nxorën në pension, mua më çuan në Burrel fillimisht, shefi i xhenios së Korpusit, më vonë shef xhenio të brigadës dhe më pas komandant kompanie. Veli Llakën, Shef i Shtabit të Përgjithshëm e çuan në Cërrik, komandant stërvitjeje, Berberin e çuan në Patos, në detyra të ulëta edhe këta. Dhe na thanë: Për dy orë do vini këtu, hipni makinave dhe do shkoni nëpër vende. Atë ditë ka qenë një shi i madh. Rrugës në afërsi të Laçit pashë një oficer të njohur dhe i thashë shoferit të ndalojë. Ai refuzoi, unë e kërcënova dhe më në fund ndaloi. E takova atë shokun dhe u nisa. Kur mbërritëm në korpusin e Burrelit, unë u ngjita lart për te shefi, ndërkohë dëgjova shoferin t’i raportonte operativit të Sigurimit: Atë plaçkën jua solla...
Nazarko: Për çfarë akuzoheshit?
Moisiu: Nuk merrej vesh. E kam mësuar më vonë. Ka qenë viti 1987, apo 1988, më dërguan dokumentet e partisë dhe më dhanë kartelën në Komitetin e Partisë nr. 1 në Tiranë. E mora. Më thanë shikoje edhe nga mbrapa. Aty ishte motivacioni. E lexoj. Shkruhej: “Për shkelje të vijës së partisë në fortifikimin e vendit”.
Nazarko: Si i keni pritur ndryshimet, rënien e regjimit komunist në vitin ’90-’91?
Moisiu: Kuptohet se për gjithë vijishmërinë, zhgënjimin që kisha pësuar unë, për aspiratat rinore që i ka rinia në atë kohë, ishte një frymëmarrje, një jetë krejt tjetër, e ndjen veten të çliruar, jo vetëm në familje, por edhe me shokët e tjerë. Më kujtohet që njerëzit në atë kohë merrnin një pako gjalp në javë, etj, kujt t’ia jepnin më parë... Kam dorëzuar teserën e partisë në maj 1991...