E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 23 qershori 2013 do të jetë binjakja e 22 marsit 1992

18-01-2013 / Gazeta 55

Motorët e fushatës elektorale janë ndezur edhe në degët e PD-së në rrethe. Kryeministri shpalli projektin e “Shqipërisë së zhvilluar europiane” si epiqendrën e fushatës që do kërkojë votën e shqiptarët.
Deklaratat e shefit të mazhorancës
Fitorja e mandatit të tretë, me rëndësi jetike për fatet e vendit
“‘Bashkimi i Fundërrinave’ kundër Sali Berishës, veç Lanës vend tjetër s’mund të ketë”
“Djepi i fitores qëndron te vota e shqiptarëve”

“Më 23 qershor të realizojmë fitoren që presin shqiptarët, fitoren e shkëlqyer të Partisë Demokratike”.
Kështu u shpreh dje kreu i mazhorancës, Sali Berisha që në nisje të takimit me të gjithë kryetarët e degëve të Partisë Demokratike dhe ato të Grup Seksioneve. Takimi u thirr nga kryeministri Berisha me qëllim marrjen e porosive konkrete të këtyre strukturave në funksion të fushatës elektorale, për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Pikërisht duke u ndalur te gara e ardhshme elektorale,
shefi i qeverisë shprehu bindjen e tij në një tjetër fitore të forcës politike që ai drejton dhe kjo për vetë faktin se është pikërisht kjo parti ajo e cila bëri të mundur realizimin e ëndrrave të shqiptarëve përgjatë këtyre 22 viteve demokraci.
“Fushata elektorale ka nisur që me datën 10 shtator. Ajo po zhvillohet në shumë plane, në mënyrë që 23 qershori të jetë një 22 mars i vërtetë. Sado që 22 marsin dhe 23 qershorin i ndajnë 21 vite, në qoftë se do të mateshin me ëndrra të realizuara, me ëndrra të bërë të vërteta, të shndërruara në realitet, me projekte të suksesshme të ndryshimit të Shqipërisë, me misionin e forcës politike që u themelua 22 vjet më parë, këto dy data të duken binjake, në aspiratat, idealet, arritjet, dhe çdo gjë. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që më 23 qershor të realizojmë fitoren që presin shqiptarët, fitoren e shkëlqyer të PD-së si një forcë politike që në këto 22 vjet ka pasur dhe shënuar sukseset më të mëdha, transformimet më të thella, arritjet më historike, se çdo forcë tjetër politike e themeluar pas rënies së perdes së hekurt, në Evropën ish-komuniste”, u shpreh kryeministri.
Berisha tha se PD është faktuar se disponon të gjithë potencialin, për integrimin e e vendit në familjen euroatlantike.
Në vlerësimin e kreut të mazhorancës, çdo shqiptar konstaton se këto 7 vite Shqipëria ndryshoi më shumë se kurrë në historinë e saj, duke kaluar nga një vend i varfër në vend me të ardhura më se të larta.
“Kjo parti është faktuar në mënyrë të përsëritur para shqiptarëve se ajo disponon të gjithë potencialin kombëtar të integrimit të vendit në familjen euroatlantike. Ne, në 22 vite nuk i kemi zënë rrugën askujt që të bëjë detyrat e veta në procesin e integrimit, por historia është kjo: Është partia Demokratike që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, është Partia Demokratike që firmosi marrëveshjen e stabilizim-asociimit me BE, pas marrëveshjes së tregtisë me BE. Është Partia Demokratike që mori ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Është Partia Demokratike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Është PD në pushtet bashkë me aleatët e vet, ajo që bëri të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Evropën. Është Partia Demokratike ajo që realizoi ose bëri të vërteta këto ëndrra shekullore të shqiptarëve, sepse në vitet e saj në pushtet, ajo ndërmori reformat më të thella dhe transformuese. Nuk do të krahasohemi tani me Shqipërinë e 20 viteve më parë, por po të hedhim sytë në Shqipërinë e 7 viteve më parë, çdo shqiptar ndjen, prek, konstaton se këto 7 vite, Shqipëria ndryshoi më shumë se kurrë në historinë e saj, se në këto 7 vite Shqipëria kaloi nga vend i varfër, në vend me të ardhura të mesme, të larta. Në këto 7 vite, Shqipëria nga një vend me tregues të botës së tretë, për sa i përket jetëgjatësisë, vdekshmërisë foshnjore, asaj amtare dhe asaj në tërësi, sot Shqipëria në të gjithë këta tregues, lë pas jo një, por disa vende të zhvilluara të Evropës dhe të botës.
Në këto 7 vite Shqipëria ndërtoi infrastrukturën më moderne dhe po e kompleton. Është Komisioni Evropian që deklaroi se Shqipëria po ndërton rrugë dhe autostrada më shumë se disa vende të rajonit të marrë së bashku. Në këto 7 vite reformat e udhëhequra nga PD në periudhën e krizës më të thellë u faktuan një nga sukseset më të mëdha. U dëshmuan se kjo qeverisje dhe këto reforma kanë kapacitet dhe aftësi për të menaxhuar me seriozitetin më të madh dhe sukses të veçantë krizën më të rëndë që ka pllakosur Evropën”, tha Berisha.

“Djepi i fitores, vota e qytetarëve - vendi i fundërrinave në Lanë”
Krahas renditjes së arsyeve që do të sjellin fitoren e ardhshme të Partisë Demokratike, Berisha u delegoi në të njëjtën kohë strukturave drejtuese të partisë dhe porositë se ku duhet të përqendrohet fushata elektorale.
Sipas kreut të PD, djepi i fitores qëndron në votën e shqiptarëve.
“Ju e dini shumë mirë se djepi i fitores qëndron në votën e shqiptarëve. Votë, e cila përbën faktorin përcaktues të fitores sonë. Kjo votë meritohet atëherë, kur ne, në mënyrën më të vendosur, më të njerëzishme, më eficente, më reale, të kemi trokitur në çdo zemër, në çdo derë, në çdo vatër shqiptare, kur në punën tonë të kemi kthjelluar dhe të largojmë çdo akt ineficence. Të mos pranojmë kurrë të vetëmashtrohemi, të kontrollojmë çdo rezultat të punës, në mënyrë që ajo të jetë e qëndrueshme. Kjo betejë është para së gjithash vepër e atyre qindra mijëra militantëve, anëtarëve e mbështetësve të Partisë Demokratike, të cilët angazhohen në misionin e madh të mbrojtjes së arritjeve tona, të paraqitjes së vizionit tonë për katër vitet që vijnë, të një debati të gjerë, të bazuar në argumente, në respekt të plotë ndaj secilit, duke përjashtuar çdo frymë njëanësie”, theksoi kryeministri.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike krahasoi dhe dy alternativat që do të ballafaqohen në zgjedhjet e ardhshme, atë mes mazhorancës sot në qeveri dhe opozitës. Berisha tha se, në një kohë kur e djathta kërkon bashkimin rreth vlerave, PS thërret “bashkimin e fundërrinave” kundër Sali Berishës.
“Dhe si alternativë ata ofrojnë: Fundërrina të të gjitha llojeve të bashkohemi kundër Sali Berishës. Keni dëgjuar a lexuar ndonjëherë në historinë e politikës botërore thirrje për aleanca të tilla?! Ne do të shkojmë me vlera para çdo qytetari shqiptar. Vlera, vlera dhe vetëm vlera. Le të bashkohen të gjithë fundërrinat, por ju jap fjalën e nderit, në mënyrën më solemne, i përgatitur me gjithë shpirt, për fushatën më të bukur. Për fundërrinat përveç Lanës, vend tjetër nuk mund të kesh. Zgjedhja është e tyre. Por të dalësh me moton: Fundërrina bashkohuni, të mundim Berishën, kjo është dëshmia e dështimit total, kjo është thirrja e njeriut që ka humbur çdo shpresë, e njeriut që ka për shtrojë e mbulojë disfatat e njëpasnjëshme dhe pastaj dëgjon thirrjen: Fundërrina bashkohuni për të fituar kundër Sali Berishës. Shqiptarët u kanë besuar e u besojnë vlerave. Askush nuk ka pasur një çmim më të shtrenjtë për vlerat sesa ne, pasi kjo ka qenë historia jonë. Por ne kemi dëshmuar se qëndrojmë plotësisht ndaj vlerave, qëndrojmë plotësisht ndaj normave e standardeve që ndajmë me kombet e tjera të qytetëruara. Ata, edhe e quajnë qelbësirë njëri-tjetrin, edhe i thotë më pas, të bashkohemi. Le ta quajë si të dojë, ne do të mbetemi parti e vlerave, ne do të mbetemi qytetarë të vlerave dhe cilido që do të bashkohet me ne, do të bashkohet rreth vlerave. Kjo është motoja jonë. I pasigurt totalisht për ditën që agon, i bindur për disfatën që e pret, kryetari i Partisë Socialiste kërkon të bashkojë rreth vetes edhe ata, që mua më vjen zor që t’i nxjerr ato fjalë, nga goja. Rendja pas çdo vote është detyra e misioni i anëtarësisë sonë. Unë kam besim se me vendosmërinë e përkushtimin tuaj dhe të anëtarëve, simpatizantëve e mbështetësve tanë, 23 qershori do të jetë një 22 mars i vërtetë. Shqiptarët do të votojnë projektin e Shqipërisë europiane të zhvilluar dhe do të hedhin mënjanë murin e turpshëm të bllokimit, të cilin ata, kurrë nuk e meritojnë. Ata meritojnë të ardhmen evropiane”, deklaroi Sali Berisha.
Në vlerësimin e kryeministrit, pas 22 viteve pluralizëm e shohim PS-në, sërish bllokuese, në kundërshtim flagrant me aspiratën e socialistëve shqiptarë, dhe aspiratë e mbarëshqiptarëve.
“Ne kemi jo një, por njëmijë arsye t’u drejtohemi mbarë shqiptarëve, për të na e besuar neve votën. Nuk ka sot qytetar më të zhgënjyer se ata, të cilët katër vjet më parë votuan për PS-në, sepse pas 22 vitesh pluralizëm e shohin atë sërish bllokuese, e shohin në rolin e muratorit fatkeq që lartëson murin e bllokimit, në kundërshtim flagrant me aspiratat e socialistëve shqiptarë, në kundërshtim flagrant me aspiratat e mbarë shqiptarëve”.
Leonard Quku

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›