Emri i Skënderbeut, një yll polar për gjithë brezat pasardhës të shqiptarëve
Gjergj Kastrioti Skënderbe në përvjetorin e vdekjes
Më 17 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Më 17 janar, bie 545 vjetori i vdekjes së Heroit të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Atletit të Krishtit e të krishterit të flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës.
Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet, si një burrë i madh shteti, që udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit vet shqiptar kundër pushtuesit osman, i cili punoi edhe për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar .
E pikërisht me Kuvendin e Lezhës më Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar – as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit. Për 25 vjet me radhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit dhe të vendit të vet dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës që kur ka qenë gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.
Në qiellin shqiptar emri i Skënderbeut ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.
Lidhur me figurën madhore të heroik kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut e 543 vjetorin e vdekjes së tij, po përkujtojmë fjalët kuptimore të Papës Gjon Palit II shqiptuar në aeroportin e Tiranës më 25 prill 1993 gjatë vizitës së tij papnore historike në Shqipëri:
“Është detyrë të kujtojmë në këtë rrethanë heroin kombëtar e të krishterin e flaktë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, “mbrojtësin e Jezu Krishtit”, i cili këtë vit (1993) kishte 525 vjetorin e vdekjes. Si në kohët e tij shumë të vështira, Kisha edhe sot nuk do të mungojë të ofrojë kontributin e vet të mundshëm për zhvillimin e plotë material e shpirtëror të popullit shqiptar”.
Ndërsa në fjalimin e tij në Sheshin Skënderbe në Tiranë Ati i Shenjtë Karol Vojtila duke u fol shqiptarëve mes tjerash theksoi: “Sa herë në të kaluarën ju është dashur të mbroni me forcë identitetin tuaj. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shqua figura e lartë e të krishterit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar”. Gjon Pali II 25 prill 1993 Tiranë.
Fjalimi i Papës Pali VI në 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu/Sot, i gjithë kombi shqiptar përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në 545-vjetorin e vdekjes. Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, vdiq në Lezhë më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Për 25 vjet me radhë e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët nga sundimi i huaj. Ai realizoi bashkimin e parë të shqiptarëve në Lidhjen e Lezhës, guri i parë drejt krijimit të shtetit të pavarur. Kësaj radhe, duam ta kujtojmë me një fjalim të Papës Pali VI, i cili më 25 prill 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, u fliste atdhetarëve të diasporës, mbledhur rreth tij në Vatikan, në një kohë kur Shqipëria vuante nën thundrën e regjimit komunist. Shembull i gjallë, që tregon se Selia e Shenjtë nuk e pati harruar për asnjë çast popullin e martirizuar shqiptar. Ja ç’pati thënë Papa Pali VI:
“Të dashur bij të Shqipërisë!
Ju urojmë sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, hero i kombit tuaj dhe i emrit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore.
Ju takojmë me shumë dëshirë: vërtet, e dimë se fryma, më të cilën kremtoni këtë përkujtim, është ajo tradicionale e fisit(racës) tuaj, i cili, përmbi çdo interes, ka vendosur gjithmonë vlerat tradicionale të besës apo të besnikërisë në çdo impenjim, të nderës apo të nderit të vërtetë dhe, të burrnisë apo të tërësisë së virtyteve burrnore.
Fatosi Skënderbe ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua ka lënë trashëgim, së bashku me lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju kanë lënë kurrë në baltë.
Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i ka lënë amanet të shenjtë në atdhe e, edhe në diasporë e në mërgim.
E nëse historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka bërë që ju, me gjithë anëtarët e “gjakut tuaj të shprishur”, me aktivizmin e gjallë të lindur e me njohuritë e fituara, të ktheheni kudo në ndërmjetësues aleancash e bashkëpunimesh, që shpesh, ju kanë bërë paraprijës të ekumenizmit modern.
Urimi ynë, në këtë rast, për ju e për të gjithë shqiptarët, është që vuajtja të bashkohet gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik e, t’ju japë rast e meritë për të shërbyer si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet popujve e gjuhëve të ndryshme.
Do të realizohet kështu testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë në lavdi atdheu juaj, që është kaq i dashur për Ne e që e bekojmë me dashuri atërore”.