Berisha: 23 qershori e përcjell Ramën në banesën e gënjeshtrës, në bunkerin e harresës
Prezantohen kandidatët për deputetë në Kamzë
Në një miting madhështor në qendër të Kamzës, kryeministri Berisha e cilësoi si bastion të Partisë Demokratike sepse është “Kamza e fitores sonë të shkëlqyer”, ndërsa premtoi shumë investime për 4 vitet që vijnë. “Së shpejti do të ndërtohet ujësjellësi që do ju furnizojë me ujë 24 orë, do keni një universitet tjetër”, tha ai, ndërsa shtoi se, “Kamza është qyteti i vetëm në Shqipëri që trefishoi bizneset, duke hapur dhjetëra mijëra vende punë”. Kreu i qeverisë Berisha premtoi në Kamëz ndërtimin e “2 parqeve logjistike që kërkojnë mbi 30 mijë punonjës. Do ndërtojmë një nga pallatet e sportit më modernët në Shqipëri, rruga jonë është rruga e zhvillimit të Kamzës, e punësimit, e rritjes së rrogave dhe pensioneve, e shërbimeve të shkëlqyera për ju”, theksoi Berisha.
Duke akuzuar liderin e PS-së Edi Rama për përbuzjen e banorëve të Kamzës, Berisha i ftoi ata të votëbesojnë PD në mandatin e tretë dhe ta lënë Ramën në bunkerin e harresës. Kreu i qeverisë nuk nguroi ta krahasonte kryesocialistin me Nastradinin. “Mandatin e ardhshëm ne marrim statusin, hapim negociatat, liberalizojmë vizat me SHBA. Alternativa jonë frymëzohet nga ju, bazohet tek besimi i pakufishëm i juaji, iniciativa juaj e lirë. Këto vite kemi ndryshuar Shqipërinë. Ju jeni këtu nga çdo zonë e vendit. Alternativa tjetër është etiketimi juaj njëherë shpellarë, herë tjetër çeçenë urdhëro zoti Rama këta burra që janë këtu nga të 4 anët e dheut kanë ndërtuar me supet dhe shpirtrat e tyre vila e shtëpi të bukura, qytetin e 6 më të madh të Shqipërisë. Po ju çfarë keni bërë? Je një piktor i dështuar që latë Tiranën me 250 km rrugë të pa asfaltuara, bëtë gjithçka që këta gra e burra të mos lëviznin me viza, mbajte peng statusin, sot qarkon me autobusin tënd, je identik si me qenë binjak me Nastradinin, ai udhëtonte me veshëgjatin, si me autobusin bunker. Ndaj edhe 23 qershori do të të përcjellë në banesën e gënjeshtrës, në bunkerin e harresës”, theks ai.
Basha: Tirana i tha jo Edi Ramës/Ishte kryebashkiaku Lulzim Basha i pari që kërkoi mbështetjen e banorëve të Kamzës për Partinë Demokratike, ndërsa nuk nguroi të akuzonte Ramën. “Rama e la Tiranën në një gjendje më të keqe se sa Kamza, por Kamza e ka një mik të sigurt është Sali Berisha dhe PD. Në Tiranë i thanë jo modelit të keqadministrimit, le ti themi jo edhe sot modelit që rri shtrembër e flet shtrembër”, shtoi ai. Basha theksoi se, Kamza ka një pikë mbështetje të sigurt, kryeministrin Sali Berisha. Së bashku me të, ju qytetarët e Kamzës ndërtuat shkolla, rrugë dhe stadiumin që përuruat sot. Sot Kamza ka 24 orë ujë dhe drita. Kamza sot ka nevojë për një qeveri që punon për të dhe ta zhvillojë më shumë”. “Sot pas një viti vonesë opozita votoi tre ligjet kusht për në BE. Sot ju zoti Kryeministër, vini këtu me skuadrën që drejtoi për 4 vite platformën për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që ndërtoi shkollat, rrugët, qendrat shëndetësore dhe hoqi vizat me BE”, tha Basha.
Tafaj: Rama, kundërshtar i fortë i Arsimit/Ministri i Arsimit, njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Tiranës Myqerem Tafaj, duke folur nga Kamza, ku Partia Demokratike prezantoi deputetët e saj, tha se Edi Rama është vetidentifikuar si kundërshtarë i fortë i arsimit. Kreu i arsimit kujtoi votat kundër të deputetëve socialist në parlament për ndërtimin e shkollave, për rritjen e rrogave për mësuesit, për bursat e studentëve, apo për pajisjen me dhjetra mijëra kompjutera të shkollave në mbarë vendin. Tafaj u tha banorëve të Kamzës, se para se të hedhin votën e tyre më 23 qershor, të mos harrojnë bllokimin që Edi Rama i bëri statusit kandidat për në BE Shqipërisë, ku si pasojë vendi humbi mundësinë e përfitmit të milionave euro investime, apo grevën e urisë të ligjvënësve socialist kundër liberalizimit të vizave, ndërkohë që shqiptarët lëvizin sot të lirë kudo në Europë.
Dogjani: Berissha është lider, Rama nuk dëgjon askënd/Gjatë fjalës së tij në mitingun e Kamzës, ish-deputeti socialist Asllan Dogjani, tashmë kandidat i PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit, hodhi akuza në drejtim të liderit socialist Edi Rama. Sipas Dogjanit, Rama nuk dëgjon askënd veç vetes së tij, ndërsa Berisha është një lider i vërtetë. “Rama shkon për të biseduar me banorët dhe nuk i dëgjon ata. Zgjodhi deputetët që janë të pasur e të pafjalë. Unë nuk jam milioner, jam si ju dhe do iu përfaqësoj.”- deklaroi Dogjani.