Vëzhgimi/“Nuk gënjej se jam 2 metro i gjatë!
Edi Rama ka filluar të bëhet i pabesueshëm edhe brenda radhëve. Është e panevojshme, tanimë, të përmendim të gjithë ata personalitete të liberalizmit të majtë që ia kanë lënë pendët. Lëvizjen për Mendimin Ndryshe e asfiksoi nëpër skuta obskurantiste, paçka se tundi dynjanë për atë “transparencën” e tij ‘proverbiale’ në salla të bunkerizuara, në të cilat nuk hynin dot gazetarët dhe kameramanët. Kameramanët ngulmues, i nxorën nga dera e madhe me kamera të shpartalluara. Ky farë “suksesi” ndaj LMN-së ia shtoi mujshinë dhe u bë fare gojëzbrazët në ballafaqimin me kundërshtarin politik. Nuk ka opozitë në vendet demokratike, që ta përmendin kundërshtarin me mllef të papërmbajtur, pa fjalën ‘zoti’, përpara emrit. Madje edhe me emër të shformuar! Edvini është një kundërshtar i tipit të veçantë: I etalonit harbut! Në këtë stil dhe me shakara pa kripë, është ciflosur shtamba. Por duket se i ka ardhur sosja. Tani nuk do të dalë nga pusi sakllam. Një opozitar si ai, respekton vetëm veten, ulërin kundër korrupsionit dhe u vë kandidaturën për deputet evazorëve fiskalë, të ndëshkuar nga gjykata; që e lë forumin e rinisë së tij pa kryetare, se i mbetet hatri për hiç mosgjë; që kërcënon me ulërima huliganësh ata që i ka përjashtuar nga partia, paçka se kanë kontribute në të majtën tonë, më të mëdha se ai vetë. Meqë Edi Ramës ia vjedhin risitë (!), ai, duke gënjyer veten, e përvetëson pa farë galjeje atë që quhet si ‘bashkëbisedim i hapur’ apo “Town Hall”, në anglisht. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, prej thuajse një viti, ka nisur ta praktikojë këtë format “alla amerikan”. Vetëm pak kohë më parë, duke i qëndruar motos “qytetarët janë të parët”, kreu i qeverisë i cilësoi Town-Hallet si një formë e shkëlqyer e komunikimi. “Kam kërkesa të shumta për to, saqë e kam të vështirë t’i përballoj. Për mua qytetarët janë të parët!”, - pohoi Berisha.
Tani na del Rama, si ‘trimat’ pas lufte, me këtë mënyrë komunikimi. Po se mos është përvetësimi i vetëm: Ai nuk puthi dot në shkrimet e tij kontradiktore në “RD-në” e hershme. Shkronja e parë e iniciales së gazetës së parë pluraliste, pas ndërrimit të sistemeve, përfaqëson bash fjalën Rilindje. Tani ai kërkon ta bëjë të vetën, në një “Rilindje” tjetër, në atë të katër partive komuniste në aleancën e tij të çoroditur. Dy parti të Punës dhe dy të tjera parti komuniste! Të katërta janë parti enveriste, në të vërtetë. Mund të quhen fare mirë edhe parti staliniste... A mund të mohohet se Enveri mbeti stalinist gjer në mbarim të jetës, më 11 prtill 1985? Edvini bën sikur mund ta anashkalojë të vërtetën se Stalini, i shkurorëzuar në të gjithë botën me destalinizimin e kongreseve XX, XXI, XXII e më tej, na mbeti, si kërcu përmbi samar, falë aleancave të E. Ramës. Kjo është fizionomia e vërtetë politike e këtij farë kryeministri ( që tani nuk është pa rival brenda koalicionit të tij). Peza është dëshmitare e ovacioneve për Lavdinë e shokut Enver, ku nuk mungonin edhe të mitura në atë orgji avujsh të rakisë të veteranëve, vajza të vogla për të cilat E. Rama bën sikur revoltohet për pjesëmarrjen masive të popullit, edhe me fëmijë në krah të prindërve, për të përshëndetur fitoren e popullit demokrat.
***
Rama, përveçse jashtë prirjeve demokratike të kohës, është, tanimë, në rol të plagjiarit. Kështu ai Town Hall- in e kryeministrit e përvetëson shtrembër, si çdo hajdutllëk në lëmën e kulturës. Kështu Nuk mungojnë, pra, akuzat bajate ndaj qeverisjes në këto pyetje-përgjigje, të shndërruara në leksione, gjë që vihet ré në 2-3 pyetje të vetme. Gjithmonë për gjëra të përsëritura gjer në mërzi. Akuza nihiliste ndaj kundërshtarit dhe batuta që ai i quan të goditura, por që janë karagjozllëqe, Natyrisht që problemet kalojnë në plan të dytë. Ndihet mungesa e një programi të besueshëm. Mbeten vetëm petullat me ujë, sikur nuk e kemi parë për 13 vjet shterpësie. Tetë vite prej këtyre i ka poshtëruar vetë, por tani i ka harruar se ajo “E kishim me hak që na e morën pushtetin”, kishte synime të rrëmbimit të pushtetit, duke u mbështetur në nenin 28 të Statusit, të P. Socialiste. Ndër batutat pa kripë, udhëtarit Nr. 1 të autobusit mavi, është edhe kjo: - “Unë jam dy metro i gjatë. Dhe nëse do të gënjej, nuk më fshihet dot gënjeshtra!”. Kush i thotë këto? Ai që dikur ishte antienverist i flaktë (në “Refleksionet”) dhe që u shndërrua në Enverist me damkë (në “Kurbanin”)? Sa për ato vjedhjet e votave që i ka për alibi të humbjeve, po riprodhojmë nga Nazir Isufi, një fragment nga libri i tij “Kujtimet e një katundari”, f. 191: “E martë, 3 tetor 2000: Sipas njoftimeve për rezultatet e votimit, qeveritarët socialistë, në sajë të mashtrimit dhe të shantazhit të tyre, paskan fituar mbi 70% për bashkinë e Tiranës. Por s’kanë thënë asnjë fjalë për një fakt interesant: Në Tiranë, nga 472.000 votues të regjistruar, për këtë ish-ministër paskan votuar 82.000 veta. Dhe, me këto vota, E. Rama u shpall kryetar bashkie!... U shpall fitues me afro një të gjashtën e votuesve të regjistruar! Rast i paparë në botë, sipas mendimit tim. Dhe një hap tjetër prapa për këtë vend”. Nëse duhet edhe një dëshmi tjetër e aftësisë së Ramës për të vjedhur votat, kemi atë të S. Ngjelës, kur ishte rival i Ramës për bashkinë e Tiranës. Në një panel, Takut i shpëtoi goja dhe tha se ishte ai fitues, por ia kishte vjedhur votat E. Rama. Pastaj, pasi u bë aleati i tij gojëshpatë, na u duk sikur na tha, duke menduar se u harrua ajo që kishte thënë dikur: “Mirë ma bëri!”.