Bilanci/Bllokimi i statusit nga PS i kushtoi vendit qindra milionë euro
Pa u skuqur për sjelljen disavjeçare antishqiptare, një pjesë e deputetëve të PS u paraqitën në seancë plenare dhe votuan 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli, duke mos kërkuar ndjesë për pengmarrjen që i bënë aspiratës për integrim. Përllogaritja e projekteve të skualifikuara shkon në qindra milionë euro, fonde që do të shkonin kryesisht në bujqësi dhe infrastrukturë
Edi Rama lejoi më në fund deputetët e Partisë Socialiste të votonin miratimin e tre ligjeve që kërkoheshin nga Bashkimin Europian, si kusht për marrjen e Statusit të vendit Kandidat. Edi Rama e harroi hallin e Vangjel Ndrekos, çështjen e qarkut të Fierit, tre pushtet e gjithfarësoj alibish që pati krijuar për të mos votuar tre ligjet e kërkuara nga BE-ja. Pas rreth një viti plot debate dhe apelit të ndërkombëtarëve ndaj 3 ligjeve të cilësuara si ligjet e integrimit, 3 draftet që prisnin në sirtar u miratuan dje me shumicë të cilësuar në Parlamentin e Shqipërisë. Votimi u bë gjatë seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Berisha, pas debateve që kaluan herë me tone fushate elektorale dhe herë në akuza personale, mes disa deputetëve socialistë dhe kreut të qeverisë. Votimi i 3 ligjeve u bë pas propozimit që bëri kreu i LSI Ilir Meta ditë më parë ku duke iu drejtuar politikës së majtë e së djathtë, bëri thirrje që të miratohen ligjet sepse Shqipëria, siç theksoi ai, ka dhe një shans për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, brenda këtij viti. Pas kompromisit që propozoi Meta, PS iu përgjigj pozitivisht ftesës me kusht që ligjet të miratohen para zgjedhjeve, por të hyjnë në Kuvend pasi të vijë në pushtet qeveria e re. E në fakt, paketa e Brukselit hyn në fuqi vetëm me krijimin e Kuvendit të ri, ndërsa vendi anashkaloi kështu një referendum të premtuar nga kryeministri Berisha nëse opozita nuk i votonte 3 ligjet. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi falënderoi kreun e LSI-së, Ilir Meta që sipas tij u bë shkak për mbledhjen e seancës së sotme parlamentare. “Ju falënderojmë se në mesin e fushatës elektorale, tani ju kanë rënë të gjitha akuzat. Faleminderit Ilir Meta që e nxore ne pritë Edi Ramën, me dashje apo pa dashje. Të kemi kundërshtar, por ti u bërë shkak për të mbledhur këtë seancë ku çdo shqiptar do të dalë i fituar përveç Edi Ramës. Ilir Metën mund të akuzoj për 1 mijë gjëra, por jo se ka penguar integrimin, se ka pasur të njëjtin qëndrim si para dhe pas ‘darkës së ngjalave’ dhe marrëveshjes së 1 prillit”, theksoi Patozi. Nënkryetari i Partisë Demokratike theksoi se është dita që shqiptarët do të shohin se çfarë ishte në gjendje të bënte kreu i PS-së Edi Rama. Për të marrë karrigen e kryeministrit. Sipas patozit, më 23 qershor, opozita do të ndëshkohet nga verdikti i sovranit. “Shqipëria nuk bëhet as më e mirë as më e keqe pas votimit të 3 ligjeve, ajo mbetet vendi i halleve të pazgjidhura, por edhe e arritjeve më të mëdha gjatë mandateve të kësaj mazhorance. Jemi tmerrësisht të votuar, por nuk ka një rast të dytë kur fajtori shkëlqen me mungesën e tij. Sot është dita për të kuptuar se për shkak të paranojës së një njeriu PS është rreshtuar kundër interesave me jetike të shqiptarëve. Sot është dita të njohim Ramën ‘lakuriq’, jo atë të fitove të vitit 2007, pasi nuk janë asgjë krahasuar me ditën e sotme. Sot është dita për të parë se cfarë është në gjendje e të bëjë mendje e fiksuar e një drejtuesi i cili është fiksuar me karrigen e kryeministrit. Tani kanë rënë të gjitha alibitë e sforcuara të kreut te PS-së. Nuk flitet me për Fierin as për zgjedhjet”, theksoi ndër të tjera Patozi.
Rama, i dyshimtë për 3 ligjet