Berisha: 4 vitet e ardhshme, bum turistik për Pogradecin
Kryeministri Berisha ka mbyllur sot fushatën elektorale në qytetin e Pogradecit ku ka ofruar mbështetjen për kandidatin e koalicionit “aleanca për qytetarin” Luan Topçiu.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha ka premtuar se 4 vitet që do të vijnë do të jenë vitet e bumit të jashtëzakonshëm turistik jo vetëm të Pogradecit port ë mbarë Shqipërisë.
“Ne mblidhemi këtu të vendosur që në çdo skaj të këtij rrethi të ndërtojmë ëndrrën tonë europiane. Ne mblidhemi në këtë shesh të vendosur që 4 vitet që vijnë nga Qafë Thana në Qafë Plloç të kemi një Pogradec me infrastrukturën më moderne” theksoi Berisha.
Më tej kryeministri Berisha u premtoi qytetarëve se qeveria do të shndërrojë në vlera pasuritë turistike të Pogradecit ndërsa shtoi se Pogradeci do të shndërrohet në kopështin më të bukur i vendit dhe Shqipëria në kopështin më të bukur të Europës.
“8 maji është një datë e madhe për qytetarët e Europës, dita e ngadhënjimit të lirisë dhe të vlerave të Europës, andaj ta nderojmë këtë ditë me votën tonë në mënyrë të qytetëruar, me besimin e madh te integrimi i Shqipërisë në Europë”, theksoi Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha u zotua se qeveria e tij do të mbështesë çdo projekt për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Pogradecit.