E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 490 mijë pensionistë marrin pension të pjesshëm

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se 490 mijë pensionistë marrin pension të pjesshëm.

Në fjalën e tij në tryezën e diskutimit të organizuar nga Departamenti i Ekonomisë dhe Financës i PD-së, me temë “Pensionistët, të nëpërkëmburit”, Berisha ngriti shqetësimet mbi gjendjen ekonomike të pensionistëve në vend.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se rreth 490 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme, të cilat sipas tij nuk mbulojnë nevojat bazë për jetesë.

“Rreth 490 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme. Nuk marrin pensionin minimal të plotë, por marrin pension të pjesshëm. Çka do të thotë, thërrime. Dhe po të kemi parasysh çmimet e tregut, ata kanë një jetë shumë, shumë të vështirë”, tha Berisha.

Sipas Berishës, rritja e çmimeve të produkteve bazë dhe kostove të jetesës nuk është shoqëruar me rritje proporcionale të pensioneve dhe pagave, duke rënduar më tej situatën ekonomike të pensionistëve.

“Sot çmimet nuk janë më simbolike. Çmimet janë krejtësisht të përcaktuara nga tregu. Dhe në Shqipëri, fenomeni, zhvillimi më negativ ka qenë ky, që rritja e rrogave dhe e pensioneve nuk ka ndjekur rritjen e çmimeve”, tha Berisha.

Ai u shpreh se indeksimi i pensioneve është bërë mbi bazën e inflacionit të përgjithshëm dhe jo mbi inflacionin e produkteve të shportës, të cilat, sipas tij, kanë pësuar rritje shumë më të larta.

“Në Shqipëri, inflacioni, në tërësi, krahasuar me inflacionin selektiv, inflacionin, ta quajmë të shportës së mallrave më të domosdoshme, ushqimeve dhe mallrave më të domosdoshme për pensionistin. Ky inflacioni i dytë, në realitet, mund të jetë 10, 20 herë më i madh, më i lartë sesa inflacioni në tërësi”, theksoi Berisha.

Berisha kritikoi gjithashtu politikat ekonomike të qeverisë ndër vite, duke pretenduar se pensionistët janë përballur me rënie të fuqisë blerëse dhe vështirësi të shtuara për përballimin e kostove të ushqimeve dhe kujdesit shëndetësor.

“Nuk ka shpërndarje më të pabarabartë të ardhurash sesa kjo. Ka qëndrim më cinik. Dhe, është i tëri i bërë nga qeveria. Sepse, në vitin 2013, pensionet ishin sa ishin, po ishin më të lartat në rajon”, tha Berisha.

Kreu i PD u shpreh se, “qeveria dyfishoi taksat. Qeveria pretendoi se po i indekson pensionet. Indeksimi me treguesin e inflacionit të përgjithshëm. Po indeksimi me inflacionin selektiv nuk është konsideruar kurrë për ta. Ndaj dhe ata mbeten në vendnumëro, ose me rritje shumë modeste, në një kohë kur çmimet u rritën mbi 100%”, theksoi Berisha.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›