Berisha: PD do të ketë përparësi vendosjen e minimumit jetik

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD do të ketë përparësi vendosjen e minimumit jetik.
Në tryezën e diskutimit me temë “Pensionistët, të nëpërkëmburit”, Berisha tha se në Shqipëri nuk duhet të ekzistojë varfëria ekstreme dhe se pensionistët duhet të përfitojnë më shumë nga pasuritë e vendit.
“Ju siguroj se përparësi absolute, Partia Demokratike do të ketë minimumin jetik, pensionet, rrogat e ulëta si fillim. Ne do e nisim aty. Ne do vendosim minimum jetik. Është thënë 200 $, do rillogaritet. Se ecën. Po, po, do e shpërndajmë. Shpërndarja është drejtësi sociale. Dhe nuk mund të ndërtosh një sistem të tillë të pabarabartë në shkallë ekstreme”, deklaroi Berisha.
Ai u shpreh se një qytetar që jeton me më pak se 5 euro në ditë konsiderohet në varfëri ekstreme, ndërsa shtoi se mbi këtë bazë do të ndërtohet edhe skema e rritjes së pensioneve.
“Shqiptarë që të mbetet në varfëri ekstreme nuk do ketë. Jo, nuk do ketë. Dhe është varfëri ekstreme ai shqiptar që nuk ka 5 euro në ditë. Ai është varfëri ekstreme. Dhe mbi këtë bazë do jenë pensionet. Mbi këtë bazë do fillojë rritja e fuqishme e pensioneve.”
Berisha theksoi se, Shqipëria ka potenciale të mëdha natyrore dhe ekonomike, por qytetarët dhe pensionistët nuk po përfitojnë nga këto pasuri.
“Do bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndjehen se jetojnë në një vend me pasuri të mëdha dhe të jenë ata që të përfitojnë prej tyre”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se një PD gjithashtu do të ndërmarrë masa për luftën kundër informalitetit dhe rritjen e kontributeve në skemën e pensioneve.
“Informaliteti diktohet nga korrupsioni, diktohet nga taksat e larta, diktohet nga i gjithë mjedisi i krijuar. Ndaj dhe ne, në një luftë të egër me informalitetin, do bëjmë gjithçka të rrisim kontributet”, tha Berisha.
/gj.m/r.e/a.f/