Berisha: 8 maji ishte kryelajm i medieve botërore, protesta tronditi regjimin

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se protesta e 8 majit në Tiranë pati jehonë të jashtëzakonshme në mediet ndërkombëtare, ndërsa e cilësoi atë si një “uragan lirie” kundër qeverisë.
Në një konferencë për medie nga selia e Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se protesta “tronditi në themele narkoregjimin e Edi Ramës”.
“Uragani i lirisë i datës 8 maj tronditi në themele narkoregjimin. Ky uragan pati një jehonë të jashtëzakonshme në mediet botërore”, tha Berisha.
Sipas tij, protesta kishte si kauzë kundërshtimin ndaj korrupsionit dhe asaj që ai e cilësoi si “farsë elektorale”.
Berisha akuzoi qeverinë për përdorim të strukturave shtetërore dhe kriminale për të mbrojtur, sipas tij, aferat korruptive.
“Protestuesit guximtarë kanë një kauzë të drejtë. Luftojnë një regjim që i ka vjedhur dhe mbron vjedhjet e tij”, deklaroi ai.
Kreu i PD-së kritikoi edhe veprimet e policisë gjatë protestës, duke i cilësuar ato si “barbare” dhe “primitive”.
“Sjellja e narkopolicisë shpërfaqi para botës fytyrën e vërtetë të narkoshtetit të Edi Ramës”, tha Berisha.
Gjatë konferencës, ai publikoi dhe komentoi raportime të medieve ndërkombëtare mbi protestën, duke përmendur mes të tjerash Reuters, Deutsche Welle, Anadolu Agency, NOVA News dhe Getty Images.
Sipas Berishës, raportimet ndërkombëtare treguan mbështetje për protestën dhe pasqyruan tensionet gjatë përplasjes mes protestuesve dhe policisë.
“Këta janë shqiptarë që nuk pajtohen me vjedhjen”, u shpreh ai gjatë prezantimit të pamjeve nga mediet e huaja.
/gj.m/r.e/a.f/