Prokurimet Publike, Rama: Në standardet e BE, diskutohen piketat përmbyllëse

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, sa i takon prokurimeve publike, Shqipëria është tashmë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në një konferencë të përbashkët për medie me negociatoren për Kapitullin 5: “Prokurimi Publik”, njëkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta (Shahollari), mbi zhvillimet kryesore në këtë fushë, Rama tha se Shqipëria është duke diskutuar piketat përfundimtare në lidhje me prokurimet publike dhe jo piketat e ndërmjetme.
Duke iu përgjigjur interesit të medieve, Rama tha se “prokurimet publike nuk janë pjesë e piketave të ndërmjetme. Kjo do të thotë që në prokurimet publike ne jemi anëtarë të BE. Kjo do të thotë që tenderat në Shqipëri, ndryshe nga sesi përfliten pafundësisht duke u bërë target në bazë të gjysmë të vërtetave, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, pra, merret një fakt që nuk është gënjeshtër dhe pastaj ngrihet një lukuni e tërë për të kthyer përmbys gjithë punën e jashtëzakonshme që është bërë në këtë fushë, dhe e them me plot gojën, që është një punë e jashtëzakonshme që është bërë nga këta njerëz që janë këtu”.
“Natyrisht, që këta njerëz të bënin punën e tyre të jashtëzakonshme është dashur vullneti absolut për t’i bërë prokurimet publike të pavarura, transparente, eficiente, e kështu me radhë. Pra Shqipëria, në këtë fushë nuk ka piketë të ndërmjetme. Piketat e ndërmjetme, janë piketa për çështje dhe tema që shkojnë përtej procesit normal të anëtarësimit dhe i kemi shpjeguar që lidhen me pikërisht me faktin që shtetet negociojnë, që Shqipëria negocion”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “ndryshe nga sa thuhet pa pushim dhe pa pikë përgjegjësie, që negociata s’ka se Shqipëria bën vetëm çfarë i thonë, ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë, ne nuk bëjmë çfarë na thonë vetëm, ne bëjmë çfarë duhet për të qenë në një linjë me BE, se ne po shkojmë atje, nuk po vijnë ata te ne. Por, ndërkohë, ne negociojmë për fusha, ku kemi nevojë për kohë. Këtë gjë e kanë bërë të gjitha vendet dhe prandaj janë negociatat, sepse po të mos ishin negociatat do ishte thjesht një ‘plotësoni këto detyra dhe bëhuni pjesë e jona’”, tha Rama.
Duke folur për tryezën që zhvillohet të martën në Bruksel, ku diskutohet ecuria e negociatave për prokurimet publike të Shqipërisë, Rama tha se “në atë tryezë na përfaqëson Komisioni Evropian, që do të thotë që qëllimin tonë e përfaqëson Komisioni. Pra kjo do të thoë që Komisioni është dakord me ne. Komisioni është dakord që ne i kemi plotësuar 100% të gjitha detyrat për të marrë dritën jeshile për të hyrë në fazën e re, që është ajo e mbylljes së kapitujve”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se shqetësimet dhe pyetjet e vendeve anëtare të BE në këtë fazë lidhen me piketat përmbyllëse. “Pra, vendet anëtare s’mund ta ndryshojnë atë që çfarë është bërë dhe atë çfarë Komisioni Evropian ka vënë përpara. Por, bazuar në atë që Komisioni vendos përpara, vendet anëtare vendosin të ndërhyjnë për piketat përmbyllëse, pra për të nënvizuar më shumë një aspekt, apo për të rritur më shumë presionin për një aspekt tjetër, që kur të këtij procesi t’i vijë fundi, të kthehen dhe të thonë që ne kemi dashur që Shqipëria të bëjë më shumë progres në iks gjë dhe të vlerësohet nëse vendi ynë e ka bërë apo jo”, shtoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se procesi deri tani është i gjithi brenda parashikimeve, ndryshe nga sa pretendohet nga opozita.
“Kjo që po ndodh në Bruksel në këtë kohë, është tërësisht brenda parashikimeve, nuk ka absolutisht asgjë nga çfarë i është rrokanisur koka popullit shqiptar: bllokua, doli ky, doli ai… Gjë që çoi në daljen e flamujve të Gjermanisë në krahët e molotovarëve, por e vërteta është që kjo që po ju them dhe që është lehtësisht e verifikueshme. Mjafton të lexosh sesi funksionon procesi”, përfundoi Rama.
/a.f/r.e/