E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ahmet Zogu themeloi shtetin modern shqiptar

 Në ceremoninë e organizuar në këtë zonë në verilindje të Shqipërisë, rreth 120 kilometra larg Tiranës, ku dhe u lind Mbreti Zogu i Parë, Kryeministri Berisha shoqërohej nga kryetari i bashkisë së Burrelit, Skëndër Lleshi, Pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu, Kryetari i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahiu, ndërsa ishin të pranishëm dhe shumë banorë të qytetit.  Kryeministri Berisha u shpreh në fjalën e tij se "vendosja e shtatores së tij në këtë shesh është nder i madh që ne i bëjmë mbarë kombit shqiptar. Pavarësia u shpall në Vlorë, ndërsa shteti modern i shqiptarëve nisi këtu në Mat me burrin më të madh të kombit, Ahmet Zogun”.

Mbreti Zogu i Parë, vlerësoi z. Berisha, do të hynte, ngjitej dhe kryesonte skenën politike shqiptare në kohërat më të vështira për vendin, në kohërat kur ishte vënë në pikëpyetje, edhe pas shpalljes së Pavarësisë, vetë ekzistenca e Shqipërisë së pavarur dhe bëheshin përpjekje të përbindshme për të copëtuar shqiptarët, për të shuar nga harta shtetin e tyre.

Kryeministri tha se Ahmet Zogu, me kurajo dhe vizion të pashoq, ia doli të ndërtonte shtetin e ri shqiptar, mbi standardet e monarkive të avancuara evropiane. “Mbreti Zog, me përpjekje të mëdha konsolidoi pavarësinë e Shqipërisë dhe bëri që të marrin fund përpjekjet për ndarjen e mëtejshme të saj, duke u bërë simbol i pamposhtur i bashkimit të kombit shqiptar”, vlerësoi z. Berisha.

Ai nënvizoi se Mbreti Zog vendosi ligjet më të përparuar të kohës, duke e vendosur vendin që vinte nga feudalizimi i thellë në binarët e zhvillimit kapitalist, ndërsa gjatë luftës ia doli të organizonte rezistencën e shkëlqyer antinaziste që u përfaqësua nga tribuni Abaz Kupi.

Por, pas luftës, ai do të ishte Mbreti i vetëm në Evropë që nuk do të lejohej të kthehej në vendin e tij. “Armiqësia dhe qëndrimi ndaj Ahmet Zogut, ishte armiqësi ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve, armiqësi ndaj qenies së shqiptarëve, ishte diktat i Beogradit, ishte pjesë e komplotit dhe skenarit nga klika hoxhiste, për të bashkuar Shqipërinë me ish- Republikën Federative të Jugosllavisë”, tha ndër të tjera Kryeministri.

Sipas tij, Mbreti nuk rreshti së përpjekuri, deri ditën që ndërroi jetë në Paris, për të çliruar shqiptarët nga klika hoxhiste, për të çliruar shqiptarët kudo që ishin nga pushtimet barbare dhe mizoritë që përjetonin. Shtatorja e përuruar sot në qendër të qytetit të Burrelit është vepër e skulptorit matjan Maksim Shurdhi. Ajo është realizuar me fondet e bashkisë dhe mbështetjen e biznesit privat. Mbreti Zogu i Parë është përjetësuar në këtë vepër i veshur me uniformë ushtarake.

Mbreti Zogu i parë lindi më 8 tetor 1898, në Burgajet të rrethit të Matit, në një kështjellë të ndërtuar rreth shekullit të XV dhe ndërroi jetë në mërgim në 9 Prill 1961. Ai ka qenë Ministër i Brendshëm në periudhën 30 janar 1920- 14 nëntor 1920, Kryeministër i Shqipërisë në periudhën 1922-1924, President në periudhën 1925 - 1928 dhe Mbreti i Parë i Shqipërisë (1928 - 1939).

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›