Shpërthimi, Ujkaj: Nuk kam konflikte me njeri
TIRANË- Pas shpërthimit të makinës tip "Cuv Hoover" me targa tirane dy ditë më parë para godinës së Parlamentit, grupi hetimor i ngritur për ngjarjen ka marrë në pyetje gjatë ditës së djeshme për gati tre orë pronarin e saj Benart Ujkaj. Ky i fundit ka rrëfyer dje për uniformat blu, ku është pyetur nga oficerët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 për ndonjë konflikt apo kërcënim që mund të ketë pasur gjatë muajve të fundit. Sipas të dhënave mësohet se gjatë qëndrimit rreth tre orë në polici, pronari i makinës që shpërtheu rreth orës 23 00 të natës së ditës së mërkurë, ka mohuar të ketë pasur konflikte në të kaluarën, duke mos dhënë në këtë mënyrë asnjë version të tij për ngjarjen. Ujkaj ka mohuar edhe konfliktet në punë në kohën kur punonte në Bashkinë e Tiranës si drejtor i Urbanistikës. Të njëjtën gjë ka pohuar edhe për marrëdhëniet në punën aktuale, si drejtor i një firme private të prodhimit të betonit, ku ka përjashtuar çdo lloj konflikti. Mësohet se ky i fundit është divorcuar me bashkëshorten, para pak kohësh, por nga deklarimet që ka dhënë në polici, 48 vjeçari Bernard Ujkaj, është shprehur se zgjidhja e martesës është bërë në mirëkuptim të plotë në gjykatë. Ndërsa specialistët e Njësisë së Antieksplozivit në Policinë e kryeqyteti kanë administruar të gjitha provat materiale në vendin ku shpërtheu makina në pronësi të Bernart Ujkajt.
Policia: Makina tek parlamenti shpërtheu nga eksplozivi
TIRANË- Makinës që shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 23:00 para Parlamentit i është vënë eksploziv në gomën e djathtë. Pocilia bëri të ditur sot se "automjeti i parkuar në rrugën 'Xhorxh W Bush' me targa Tr. 38 38 M ka patur një sasi me lënde eksplozivi dhe pas shpërthimit është përfshirë nga zjarri".
Kjo makinë ishte në pronësi në firmës 'Galaxi Motors Palace', Sh.p.k dhe në përdorim e kishte shtetasi Benard Kin Ujkaj, 48 - vjec, i cili e kishte parkuar makinën pak orë para shërthimit në rrugën para Parlamentit. Grupi hetimor, ka përcaktuar dhe po ndjek disa verisione hetimi dhe është fokusuar në konflikte të mundëshme të personit të dëmtuar.
Nga verifikimet paraprake, ka rezultuar se automjeti tip Cuv Hover ka qënë i parkuar në krahun e djathtë të rrugës Xhorxh W Bush kur persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi lende eksplozivi mbi gomën e parë të krahut të djathtë të automjetit.
Mbrëmë gjithë zona u alarmuar kur lënda plasëse shkatërroi automjetin dhe dëmtoi dyqane dhe mjete të tjera përreth. Forcat e shërbimit zjarrfikës dhe policisë kanë bërë të mundur fikjen e menjëhershme të flakëve të zjarrit.
Sipas policisë, makina ka pësuar dëmtime të rënda, po kështu dëmtime të jashtme ka pësuar edhe një lokal aty pranë. Nga ky shpërthim nuk ka të plagosur, por vetëm disa dëme materiale.
"Janë pregatitur vendimet e ekspertimit, për të përcaktuar sasinë dhe llojin e lëndës eksplozive si dhe mekanizmin e shpërthimit të saj", bën të ditur policia, ndërsa ende nuk ka arritur të zbulojnë se kush janë autorët e kësaj vepre penale.