Berisha: Akuzat ndaj Ramës, për të mbrojtur qytetarët
Kryeministri Sali Berisha, në një konferencë për shtyp dhënë dje, akuzoi përsëri kreun e opozitës, Edi Rama. Përpara mediave, Berisha dha edhe arsyet për akuzat e mazhorancës ndaj kryetarit të PS-së. Ai tha se ka akuzuar standardin e Edi Ramës, që sipas Kryeministrit nuk ka asnjë qytetar shqiptar që pajtohet me moralin e tij. “Unë gjykoj se qëndrimi im është një detyrim madhor moral dhe një mbrojtje e nënës, e vajzës, e motrës, e gruas shqiptare. Absolutisht, nuk ka dhe nuk mund të ketë qëllim tjetër. Por zëri im, absolutisht nuk do të mund të heshtte para akteve të tilla. Në rast se një qytetar i thjeshtë do të kryente këto akte, çfarë do të thoshin këta zotërinjtë që bëjnë gjethen e fikut? Por, kur këto i kryen një personalitet publik, të derdhësh lot krokodili se nuk është shëmtia e akteve që duhet dënuar, por denoncimi i tyre, atëherë zoti të mëshiroftë shpirtin dhe normat që ke”, - deklaroi Berisha. Ai tha më tej se “unë kam bërë detyrën time. Kam mbrojtur në 10-ditëshin e luftës kundër dhunës në familje nënën, motrën, bashkëshorten, gruan, vajzën shqiptare dhe do të vazhdoj ta mbroj, nuk ka rrugë tjetër”. Kryeministri dënoi veprimet e kreut të opozitës duke shtuar se “absolutisht nuk ka socialist shqiptar që e pranon këtë standard. Njeriu primitiv nga njeriu i qytetëruar, ka filluar të ndahet nëpërmjet veshjes, në fillim përmes mbulimit të pjesëve të turpit”.
Bojkoti
Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim, - tha më tej Berisha dje në konferencën për shtyp. “Opozitës i kemi bërë ofertën tonë që është e sinqertë, është shumë e ndershme. Por kam bindjen më të madhe se teza “nuk na duhen ndërkombëtarët sepse do të qeverisim vetë”, është quint esenca e botëkuptimit, qëndrimit, mendimit të mafies, të klanit mafioz që zoti Rama drejton”, - tha Berisha. Ai tha më tej se qëndrimi i PS-së në këtë situatë ka vetëm si qëllim që të dëmtojë shqiptarët dhe procesin integrues të vendit. “Thënia “nuk na duhen ndërkombëtarët”, ndodh sepse mafia ka vetëm interesa kriminale. Cilat janë këto interesa? Janë pushtimi i trojeve, fshehja e taksave, evazioni i madh, mbytja e konkurrencës etj. Mirëpo këto gjëra kanë marrë fund. Ne kemi shpallur si përparësi absolute “darët e ligjit” për dhëmbët, dhëmballët dhe nofullat e mafies. Dhe unë sërish u them atyre që i trishtoi kjo fjalë, në rast se nuk ndiheni mafioz, mos protestoni ndaj kësaj, sepse në këtë shprehje është fjala ligj pas. Unë them “darët e ligjit”. Kam thënë “gërshërët e ligjit” për zyrtarët që fusin duart në xhepat e qytetarëve dhe e kam faktuar këtë. Po them tashmë “darët e ligjit” për bosët e mafies dhe anëtarët e klanit mafioz”, - deklaroi Kryeministri.
Kreu i qeverisë lëshoi akuza të tjera ndaj Edi Ramës. “Sigurisht, ju duhet ta dini se në Tiranë është e vendosur mafia më e rrezikshme në Ballkan dhe në Evropë. Ne bëmë betejë me Aldo Baret, bëmë betejë me Lul Berishët e të tjerë, por kam pasur një vështirësi shumë të madhe që ka qenë mafia e Tiranës. Dhe dua të rrëfej këtu dhe t’ju kërkoj ndjesë qytetarëve se, në rast se unë jam detyruar tani t’i përparësoj gjërat, kjo jo se unë kam pasur lëkundje të vullnetit tim për të luftuar mafien, kurrën e kurrës”, - deklaroi ai. Kreu i mazhorancës tha më tej se qëndrimi i Ramës ka qenë gjithnjë që të mos futej në zgjedhje. Berisha shtoi se ka bashkëpunuar me Ramën në mënyrë që vendi të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Ju mund të më thoni se punë e madhe po nuk futej ai në zgjedhje. Përse ti paske toleruar këtë mafie? Jo, ishte gjëmë e madhe nëse ai nuk futej në zgjedhje. Atëherë çfarë bëra unë? Unë zgjodha sovranin. Mendova me veten time që kjo është një betejë. Në kushtet dhe rrethanat kur ai u bë kryetar i PS-së, se, nëse do merresha me mafien që e rrethonte dhe që do t’i binte edhe atij direkt, ai do të bënte çdo gjë tjetër, por nuk do të hynte në zgjedhje. Absolutisht. Ai ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të mos hyrë në zgjedhje. Por edhe unë, kam bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme që ai të hynte në zgjedhje”, - tha më tej Kryeministri. Ai shtoi më tej se Shqipëria arriti të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ngjarjet e fundit ku Shqipërisë iu pranua kërkesa për vendin kandidat, sipas Kryeministrit, është mesazhi se Shqipëria realizoi zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Mandatet e deputetëve
I pyetur nga media në lidhje me vijim e bojkotit dhe në rast se mandatet e opozitës digjen, Kryeministri tha se do të zbatohet vetëm ligji dhe Kushtetuta. “Katër aventurierë, të dalë jashtë Parlamentit nga sovrani, mbajnë 64 deputetë të votuar jashtë Parlamentit. Sigurisht që ne do të marrim vendimet tona. Duhet ta kemi të qartë këtë gjë. Ne do të zbatojmë Kushtetutën. Në qoftë se këta zotërinj marrin përsipër të dhunojnë çdo ditë Kushtetutën, sepse janë pa betim, nuk e kanë bërë këtë, lexoni nenin e Kushtetutës. Është mirë që t’i hetoni gjërat dhe t’ua thoni shqiptarëve. Kushtetutën ne do ta zbatojmë. Ata që duan të bashkohen me këta 4-5, të cilët i ka ndëshkuar sovrani që i nxori me 0.3 për qind apo 0.9 për qind, le të bashkohen”, - tha Berisha duke uruar që opozita të hyjë në Kuvend.
“Fakte për lidhjet e Ramës me krimin”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në konferencën për shtyp se ai do të sjellë fakte për lidhjen e Edi Ramës me krimin e organizuar. Berisha tha më tej se ai u qëndron deklaratave të tij të bëra gjatë kohës që ishte në opozitë kur thoshte se në Tiranë ndodhet lavatriçja më e madhe në Ballkan për pastrimin e parave. “Jo se nuk mund të ndërhyja si Kryeministër, sepse mund të ndërhyja, por kisha një vetëdije të thellë se, midis përballjes me mafien e egër të kryeqytetit, që e kryeson kryetari i bashkisë - dhe unë do të sjell faktet më flagrante për këtë, kam premtuar – dhe angazhimit të forcës së tij politike në procesin zgjedhor, e dyta ishte interesi i çdo shqiptari. Zgjidhja ime ishte kjo; të bëj çdo gjë që zotëria të mos arrijë ta thyejë për së dyti vazon, siç e theu Gramoz Ruçi në vitin 1996. A e dini ju që Gramoz Ruçi, pasi bëri bojkotin, është larguar me rroba grash për në Greqi, apo jo? Ai është veshur me fustan grash, prandaj unë thashë atë ditë për të “ky është një qen i rrahur”, sepse burri që ikën me rroba grash, nuk bëhet më kurrë burrë. Se ai nuk zgjodhi të vishte as fustanellën, por zgjodhi minifund. Është i fotografuar, por është pjesë intime dhe nuk e nxjerrin”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë tha se katër vitet e tij në pushtet nuk e lanë dot të vepronte për shkak të proceseve që ndodhën në ato vite. “Kur kam qenë në opozitë, kam deklaruar se kjo është lavatriçja më e madhe e parave në Ballkan. Të jeni të bindur se e kam bërë me bindjen time më të thellë. Unë e di se secili prej jush mund të më thotë se çfarë bëre ti katër vjet. Por mos harroni një gjë, ndodhën disa procese, se shefi i lavatriçes së parave të pista dhe i mafies së kryeqytetit, u bë kryetari i PS-së. Ju ftoj të bëni një investigim, mos hezitoni, sepse është në interesin tuaj dhe të vendit. Akti i parë në vitin 2006, ka qenë që ai ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Kjo është e dokumentuar”, - tha Kryeministri Berisha.