Shpallja e pavarësisë, ministri i Jashtëm i Kosovës në Hagë
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ndodhet në Hagë ku do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai po zhvillon takime me ekspertët ligjorë të republikës së Kosovës në këtë proces që fillon të martën në datën 1 dhjetor. Ministri Hyseni dhe ekspertet po punojnë për finalizimin e deklaratave me të cilat do të prezantohen para gjykatës së Hagës, në mbrojtje të argumenteve mbi legjitimitetin e Pavarësisë së Kosovës, përballe kërkesës së bërë nga Serbia. Ndërkaq të hënën, ministri Hyseni do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Mbretërisë së Holandës. Radha e paraqitjes së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është të martën, më 1 dhjetor, në orën lokale 15:00 dhe do të zgjasë 3 orë. Fjalën hyrëse në këtë paraqitje do ta ketë përfaqësuesi i Republikës së Kosovës, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Pas tij argumentet do të shtjellohen nga ekspertët dhe këshilltarët ndërkombëtarë, Michael Wood, Daniel Muller dhe Sean Murphy.