E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Askush nuk mund të pengojë me skema mashtrimi integrimin e Shqipërisë në NATO

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në Kuvend se askush nuk mund të pengojë integrimin e Shqipërisë në NATO, megjithë përpjekjet e disa grupacioneve anti-NATO për të penguar dhe bllokuar procesin e integrimit. Në vijim të debatit në Kuvend për aksidentin e 15 marsit, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj kërkoi që të mos lejohet vazhdimi i punimeve të seancës, duke kërkuar më tej sqarime nga z. Berisha. “Nuk mund ta trajtoni këtë ngjarje të madhe, këtë krim shtetëror duke i prerë fjalën deputetëve të opozitës. Këtë qeveri po e rrëzojnë njerëzit e trafikut të armëve dhe mafia”, tha znj. Leskaj. “Mafia nuk do të mundet kurrë të më lakojë dhe as të përballet me mua. Por, e vërteta sot është se mafia po përpiqet që Shqipëria të mos integrohet", iu përgjigj Kryeministri Berisha znj.Leskaj. “Qeveria nuk ka asnjë marrëveshje kontraktuale direkte. Nëse ju e gjeni një të tillë, çojeni atë në Prokurori, ndërkohë që çështja është nën hetim”, deklaroi z. Berisha, gjatë replikave me deputetët e majtë, dje në Kuvend. Duke iu drejtuar asaj pjese të opozitës që është e interesuar për integrimin e vendit në NATO, kryeministri u shpreh se "askush nuk duhet të bjerë viktimë e një grushti njerëzish që prej muajsh të tërë punojnë me vendosmëri për të dëmtuar procesin e integrimit”. “Pasi dështuan grupacionet anti-NATO të mblidhnin firmat për referendum, ata iu drejtuan metodave të tjera shumë të ulëta të fabrikimit të shpifjeve”, tha Kryeministri, duke ofruar “dokumente autentike se kompania e ngarkuar për blerjen e fishekëve dhe municioneve për në Afganistan, ka fituar një tender të organizuar nga Pentagoni, për një sasi municionesh për ushtrinë afgane”. “Dokumentet janë shumë më ‘kokëforte’, u shpreh kryeministri, ndërsa shtoi se “përpjekja për të dëmtuar integrimin e Shqipërisë në NATO, është e dështuar”. Duke e konsideruar ngjarjen e Gërdecit si një tragjedi të tmerrshme, Kryeministri u shpreh se “opozita nuk duhet të përpiqet të ndërtojë një mal me mashtrime, pasi kjo nuk e ndihmon në qëllimin e saj për të ardhur në pushtet dhe për të zënë karrigen e kryeministrit”. Në këtë drejtim, z. Berisha sqaroi se “kontrata bën fjalë për një tregti armësh, dhe nëse opozita do që ta paraqesë tregtinë e armëve si trafik vetëm për të dëmtuar imazhin e vendit, kjo nuk është rruga e drejtë që ka zgjedhur”.
“Do t’i kërkoj parlamentit t’ju vërë në dispozicion kopjen e Komandës së Bashkuar për furnizim. Sipas këtij dokumenti, çertifikohet se në datën 23 mars 2007 është porositur tek kompania AEY për artikullin e mëposhtëm. Në këto terma dhe rrethana të kontratës së shitjes së materialeve ushtarake, ushtria amerikane në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Afganistanit, çertifikon se artikujt e mëposhtëm në sasinë e treguar, janë për përdorim ekskluziv të forcave të armatosura të Afganistanit dhe nuk do të shiten, rieksportohen apo dispozohen nga asnjë palë tjetër, pa pajtimin e qeverisë shqiptare”, deklaroi ndër të tjera kreu i qeverisë Berisha, duke cituar kontratën në fjalë.
Reagimi: Opozita të ushtrojë të drejtën kushtetuese të mocionit ndaj kryeministrit/Nëse opozita do që t'i përmbahet parlamentarizmit, le të ushtrojë të drejtën e mocionit ndaj kryeministrit, për ngjarjen e 15 marsit dhe jam i gatshëm që t’u përgjigjem për 24 orë. Kështu ka deklaruar dje në Kuvendin e Shqipërisë, Kryeministri Sali Berisha. Gjatë seancës së djeshme plenare, deputetët e majtë këmbëngulën në kërkesën e tyre për vazhdimin e debatit për ngjarjen e 15 marsit, duke kërkuar që kryeministri të vazhdojë raportimin në Kuvend, për këtë çështje. “Nëse ju doni t’i përmbaheni parlamentarizmit edhe unë i përmbahem atij. Si kryeministër kam qenë para jush (opozitës) dhe ju jam përgjigjur për ngjarjen për rreth 7 orë, ndonëse keni kërkuar një orë. Në rast se doni t’i përmbaheni parlamentarizmit, ushtroni të drejtën e mocionit ndaj kryeministrit dhe jam i gatshëm që t’u përgjigjem për 24 orë”, theksoi kryeministri në përgjigje të qëndrimeve të ashpra të opozitës për aksidentin e 15 marsit. “Por, nëse mendoni se mund të shkruhet një rregullore tjetër, kjo është pjesë e atij skenari që kërkon ta shfrytëzojë një fatkeqësi të tmerrshme për qëllime ekstreme politike", tha z. Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›