E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumenti i Pentagonit, që autorizoi blerjen e fishekëve nga Shqipëria

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë miratimin e tyre të plotë për kompaninë amerikane A.E.Y e cila ishte ngarkuar që të blinte armatime të cilat do të çoheshin më pas në Afganistan. Në bazë të dokumentacionit të bërë dje publik në seancën plenare edhe nga kryeministri Sali Berisha rezulton së përkundër spekulimeve mediatike dhe më pas politike, Komanda Qendrore e Armatimeve dhe Municioneve me qendër në Illinois të Shteteve të Bashkuara ka lëshuar një shkresë ku i njeh të drejtën kompanisë A.E.Y të kryejë transaksione të shitblerjes së armëve me Ministrinë Shqiptare të Mbrojtjes, konkretisht me kompaninë Shtetërore të Import-Eksportit të Armëve, MEIKO. Në shkresën që mban datën 23 mars 2007 dhe firmën e zotit Daniel E. Stackwick thuhet mes të tjerash se “në termat e përshkuara më lart, kontrata e Ushtrisë Amerikane, autorizon se artikujt e shënuar më poshtë do të përdoren nga ushtria afgane dhe nuk do të rishiten, ri-eksportohen apo rivendosen në një vend tjetër pa lejen e forcave të armatosura shqiptare”. Nga ana tjetër, edhe zyra e shtypit e ambasadës Amerikane në Tiranë, iu përgjigj dje pyetjes së redaksisë së gazetës “55” lidhur me ligjshmërinë e licencës së kompanisë A.E.Y, duke konfirmuar se “kompania A.E.Y ka një kontratë të ligjshme me Pentagonin, për blerje armësh të teknologjisë lindore, për t’u dërguar në Afganistan”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›