Topi nuk dekreton ligjin për Piramidën
TIRANË- Për një çështje delikate, ku janë të përfshirë 6100 qytetarë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk mund të bëhet pjesë. Kreu i shtetit nuk ka firmosur ligjin “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar”, duke vendosur ta kalojë në heshtje përmbajtjen e draftit më të debatueshëm kohët e fundit. Presidenti i ri nuk ka firmosur për miratimin e ligjit, e po aq për ta kthyer atë në Kuvend. Ai ka preferuar të mos bëhet pjesë e këtij debati, duke i dhënë fuqi ligjit, përmes heshtjes. Në ditën e fundit të dekretimit ose jo të ligjit në fjalë, në faqen zyrtare të Presidencës, deri mbrëmë vonë, nuk është hedhur asgjë.
Arsyet
Presidenti Topi nuk e ka pasur të lehtë të vendosë mbi përmbajtjen e ligjit, që rregullon procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar. Brenda afatit 20 ditor, kur duhet të firmoste për dekretimin ose jo të ligjit në fjalë, në zyrën e tij të punës kanë mbërritur shoqata nga më të ndryshmet. Kundër miratimit të këtij ligji, që i hap rrugë prishjes së Piramidës, është depozituar në Presidencë një peticion i firmosur nga 6100 qytetarë. Bashkangjitur kësaj nisme ka qenë edhe një shoqatë tjetër, e cila në thelb e cilësonte absurde prishjen e Piramidës. Në anën tjetër kanë “vërshuar” shoqatat e ish-të përndjekurve politikë. Duke ndjekur logjikën se Piramida nuk ishte gjë tjetër veçse një mauzole për ish-diktatorin Enver Hoxha, dy shoqata ish- të përndjekurish i kanë kërkuar Presidentit të Republikës që të firmosë ligjin në fjalë. Jo pak luftarake ka qenë edhe një shoqatë tjetër, shoqata “Tirana”. Edhe përfaqësues të kësaj të fundit i kanë kërkuar Topit që t’i japë fund këtij debati, duke firmosur ligjin e miratuar në Kuvend. Një tjetër arsye e “heshtjes” së Presidentit të Republikës ka qenë edhe vetë përmbajtja e ligjit, e cila në thelb nuk ka shumë elementë, pasi veprimet konkrete do të ndërmerren përmes akteve nënligjore, që do të miratojë qeveria, paçka se kreu i shtetit është luhatur jo pak në faktin se një draft i tillë nuk është i shoqëruar me faturën financiare.
Ligji
Pak kohë më parë, Kuvendi miratoi ligjin “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar”, sipas projektit të studios austriake. Megjithëse në të nuk flitej për një kosto financiare, burime nga mazhoranca kanë bërë të ditur se vetë projekti do të kushtojë rreth 110 milionë euro, shumë kjo qartazi e papërballueshme nga Buxheti i Shtetit. Me ligjin e ri, që do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, e njohur ndryshe si “Piramida”, do të kalojë nga Ministria e Kulturës në inventarin e pronave të Kuvendit të Shqipërisë. Destinacioni i ndryshuar i sheshit dhe procedura që do të ndiqet për ndërtimin e kompleksit të ri Parlamentar do të përcaktohen me ligj të veçantë nga qeveria. Ndërkohë, debati për Piramidën po vijon paralelisht edhe në Gjykatën Kushtetuese. Duke e ankimuar në Kushtetuese, Bashkia e Tiranës, para zgjedhjeve të 8 majit, ka argumentuar se vendimmarrja e Kuvendit, për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin aty të kompleksit të ri parlamentar, është e paligjshme, pasi plani rregullues i Tiranës nuk e parashikon një gjë të tillë. Por situata dhe argumentet nga ky institucion tanimë kanë ndryshuar. I pyetur për prishjen ose jo të Piramidës, kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, u shpreh se do t’i përmbahet shtetit ligjor, duke lënë të kuptohet se institucioni, që ai drejton nuk do të bëhet pengesë për këtë çështje.